Partia Demokratike përmes Jorida Tabakut komentoi raportin e DASH për klimën e biznesit publikuar një ditë më parë nga ku theksohej se shqetësimi kryesor është korrupsioni, mungesa e transparencës me tenderat, konkurrenca e padrejtë, informalitetit dhe ndryshimi i shpeshtë i ligjeve.

Tabaku: Tanimë është një fakt i mirënjohur botërisht se Shqipëria ka qeverinë më të korruptuar në Europë. Shqiptarët, qeverisen nga një shtet i kapur nga një qeverisje okulte që nuk respekton ekonominë e tregut dhe as konkurrencën. Për rrjedhojë sot ekonomia është në krizë, shqiptarët mbledhin më pak të ardhura në fund të muajit pasi vendi është më pak për tërheqës për investimet e huaja! Specifikisht investitorët amerikanë! Këtë realitet të hidhur e përshkon qartësisht dhe pa asnjë ekuivok raporti i fundit mbi Klimën e Investimeve të Departamentit të Shtetit.

Kjo situatë theksoi Jorida Tabaku ia ka mbyllur derën investimeve të mëdha ne vend.

Tabaku: Ne përditë e më shumë kemi mungesë të investimeve serioze të huaja pasi Shqipëria nuk ofron asnjë siguri juridike apo dhe ekonomike për investitorët. Ajo çfarë një investitor gjen me siguri në Shqipëri, siç edhe raporti pohon, është korrupsioni, mungesa e sigurisë së pronës dhe njëkohësisht ligje abuzive që favorizojnë klientët e qeverisë. Ky nuk është thjesht një perceptim por një realitet i provuar tanimë nga dhjetëra raporte ndërkombëtare që vërtetojnë korrupsionin në nivelet më të larta të qeverisë dhe abuzimet me tenderat publik.

Për Partinë Demokratike tha Jorida Tabaku, lufta ndaj korrupsionit fillon me ekonominë e lirë dhe konkurrencën e ndershme përfshin luftën kundër monopoleve.

Top Channel