Athina dhe Qipro mesazh Turqisë: Nuk do të njohin propozimin për zgjidhje me dy shtete të barabarta e sovrane

28/07/2021 22:31

Athina dhe Nikosia po intensifikojnë përpjekjet e tyre të qëndrueshme dhe të koordinuara në krijimin e një barrikade diplomatike kundër Ankarasë pas vizitës së presidentit turk Erdogan në Qipron e Veriut, shtet që njihet vetëm nga Turqia.

Vizitën e Erdogan e kanë quajtur të paligjshme dhe OKB, BE dhe SHBA.

Kryeministri grek dhe presidenti qipriot në një konferencë të përbashkët shtypi i kanë dërguar mesazh të qartë Turqisë se nuk do të njohin propozimin e saj për një zgjidhje me dy shtete të barabarta e sovrane në Qipro, por vetëm një ribashkimi të bazuar në një model federal.

Kyriakos Mitsotakis: Aktet e reja të paligjshme turke në Qipro janë pa dyshim të dënueshme. Po shkelin qartë rezolutat e Këshillit të Sigurimit të KB dhe injorojnë konkluzionet e Këshillit Evropian, ndërsa në thelb po minojnë përpjekjet e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB për rinisjen e negociatave ne çështjen qipriote.

Nikos Anastasiades: Është e pakonceptueshme të presë dikush që pala qipriote greke mund të pranojë ndonjëherë krijimin e një formati të tillë të “sëmurë” , pra të një shteti të pavarur, i cili do të kontrollohet plotësisht nga Turqia.

Në të njëjtën kohë Athina, në një letër drejtuar Kombeve të Bashkuara, hedh poshtë atë që Turqia pretendon sistematikisht në lidhje me demilitarizimin e ishujve greke të Egjeut duke i quajtur kërkesat e saj plotësisht të pabazuara dhe juridikisht e historikisht të pasakta.

Pala greke thekson se ndërsa Ankaraja sfidon sovranitetin e ishujve grekë dhe përpiqet të mos pranojë shelfin kontinental dhe ZEE , atëherë Athina ka të gjitha të drejtat e ligjshme të ushtrojë të drejtën e saj të patjetërsueshme për sigurinë dhe mbrojtjen e territoreve të saj.

Nga ana e tij presidenti Erdogan ka ripërsëritur se Turqia ka vendosur tashmë zgjidhjen e dy shteteve të pavarura në Qipro, ndërsa  ministri turk i mbrojtjes ka ironizuar blerjen e armatimeve franceze nga Athina, duke i quajtur ato të përdorura dhe pa vlerë.

Zhvillimet e fundit në rajon janë pjesë e bisedimeve në Athinë mes kryeministrit Mitsotakis, presidentit qipriot Anastasiadhis dhe mbretit të Jordanisë Abdala.

Top Channel