Vëllai i shoferit që humbi jetën në aksidentin tragjik në Kroaci: Jemi tronditur nga kjo tragjedi! Nuk e dimë kur do të vijë trupi

27/07/2021 08:25

Naser Sylmetaj është në mesin e 10 personave që mbetën të vdekur në aksidentin e ndodhur të dielën në Kroaci, njëri nga dy shoferët.

I njëjti në këtë kompani kishte filluar punën tashmë një vit.

46 vjeçari që kishte filluar punë prej një viti në atë kompani la pas bashkëshorten dhe tre djem.

Vëllai i tij, Ilir Sylmetaj tha se Naseri gjatë sezonit të verës kishte udhëtuar në relacionin Kosovë-Gjermani dy herë në javë, kurse jashtë sezonit vetëm një herë.

“Vëllai në kompaninë ku ka ndodh aksidenti ka punuar që 1 vit[…]Po të gjitha i kanë respektuar me pushime, me ligje sa i përket një punëtori të gjitha i ka pasur në rregull[…]Mesa e di unë ky e ka pasur dy herë në javë me shku gjatë sezonit, jashtë sezonit ka shkuar një herë në javë”, thotë ai.

Ai shpjegon për KosovaPress se lajmin për ngjarjen tragjike e morën nga agjencia ku punonte i vëllai.

“Na jemi informuar përmes agjencionit, ora ka qenë 8 e gjysmë e mëngjesit, na ka tronditur lajmi, jo vetëm për vëllain tonë por na ka tronditur lajmi gjithë tragjedia që ka ndodhur, i shpreh ngushëllime të gjitha atyre familjeve që e kanë humbur, ata që janë të lënduar u uroj shërim. Dashtë Zoti të jetë hera e fundit ky aksident, të jetë i fundit për kombin tonë mos të përjetojmë më kësi mërgimtarët”, thotë Sylmetaj.

Që nga dje, ai tregon se shtëpinë e tyre e kanë vizituar shumë familjarë e qytetarë të Gjakovës për të shprehur ngushëllime. Megjithatë, ai thotë se ende nuk e dinë se kur do të bëhet varrimi për shkak se trupi i të ndjerit nuk ka arritur ende në Kosovë.

“Shumë kanë ardhur qytetarë, nuk e kemi përcaktuar të pamën se ende nuk e dimë trupi kur do të vije, nuk mund të them kurrgjë për momentin sa do të jetë e pamja për shkak se nuk e kemi trupin hala, nuk kemi ndonjë informacion kur do të vijë trupi”, shprehet ai.

Ditën e dielë, në një aksident në Kroaci kanë mbetur të vdekur 10 bashkatdhetarë, të cilët ishin nisur për pushime tek familjet e tyre në Kosovë. Shumë nga udhëtarët mbetën të lënduar, teksa trupat e personave të pajetë pritet që të shkojnë për në banesën e fundit në vendlindje.

Top Channel