Rrëzohet kërkesa për rihetimin e Fatmir Mediut/ SPAK ankimon në Apel vendimin

27/07/2021 12:51
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK

SPAK vendosi që të ankimojë në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendimin e GJKKO për rrëzimin e kërkesës së rinisjes të hetimeve për Fatmir Mediun.

GJKKO  theksoi se Prokuroria ka pasur 10 vite kohë që ta hetonte, pasi ai nuk ka pasur imunitet, ndërkohë që nuk ka depozituar prova të reja por vetëm kërkesën për hapjen e hetimeve.

“Gjykata çmon që të evidentojë se edhe pse Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë në të dy vendimet e tij ka theksuar se të drejtën për të kërkuar autorizimin për procedim sipas ligjit e ka vetëm prokurori,nga tërësia e akteve procedurale dhe e provave që ndodhen në dosjen gjyqësore konstatohet se që prej datës 14.09.2009 (data e shpalljes së vendimit të pushimit nga Gjykata e Lartë) e në vazhdim, organi i akuzës nuk i kërkoi përsëri Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhënien e autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ndaj ish – deputetit Fatmir Mediu, mungesa e të cilit nuk lejonte vazhdimin e procedimit penal. Gjithashtu, Gjykata çmon që të evidentojë se edhe pse kuadri kushtetues dhe ligjor përcakton se deputeti nuk gëzon imunitet parlamentar për ndjekjen penale apo gjykimin e tij konstatohet se që prej vitit 2012 e në vazhdim (më shumë se 8 vjet), organi i akuzës nuk ndërmori hapat e nevojshëm sipas ligjit për ushtrimin e ndjekjes penale megjithëse tashmë nuk ishte më e nevojshme që të kërkohej të jepej autorizimi nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë. Pra, nga vitit 2012 deri më datë 1 Gusht 2017 kur hynë në fuqi ndryshimet e K.Pr.Penale me Ligjin Nr. 35/2017, prokuroria nuk ka pasur asnjë pengesë që të rimerte të pandehur shtetasin Fatmir Mediu pa kërkuar autorizim për ndjekje penale apo të kërkonte rishikim të vendimit”, thuhet në vendimin e GJKKO drejtuar nga gjyqtari Erion Çela në dhomë këshillimi, pa praninë e palëve.

Si e dhënë e re për SPAK që të drejtonte kërkesën në GJKKO ishin ndryshimet kushtetuese mbi imunitetin parlamentar , që i japin të drejtë akuzës të ndjekë penalisht një deputet pa qenë e nevojshme kërkesa për autorizim. Megjithatë Kolegji i Gjykatës së Lartë i tërhoqi vëmendjen se nga 2009 kur u pushua gjykimi ndaj ish-ministrit, duke nisur prej 2017 akuza mund ta kishte rihapur çështjen.

 “Vlerësojmë se pas revokimit të vendimit të pushimit të çështjes penale, ndjekja penale dhe procesi penal duhet të vazhdojë në fazën procedurale ku ka mbetur, pra në fazën e gjykimit të çështjes. Shtetasi Fatmir Mediu gjatë fazës së hetimeve paraprake të çështjes penale të mësipërme është njohur me akuzën ndaj tij, është njohur me të gjitha aktet procedurale në ngarkim të tij dhe për këtë çështje penale është marrë vendimi për dërgimin në gjyq dhe është paraqitur kërkesa për gjykim. Faza e hetimeve paraprake është përfunduar në përputhje me kërkesat e ligjit procedural penal të zbatueshme në atë kohë dhe shkaku i pushimit të çështjes ka lindur në fazën e gjykimit. Pra, faza e hetimit paraprak është e tejkaluar në çështjen penale konkrete dhe procesi penal duhet që të vazhdojë në fazën e gjykimit të çështjes”, sipas SPAK.

Feruzan Durdaj dhe Zamira Durdaj, prindërit e 7 vjeçarit Erison Durdaj që humbi jetën tragjikisht nga shpërthimi i Gërdecit në pranverën e 2008 i kanë kërkuar gjykatës pranimin e kësaj kërkese.

Në muajin Shkurt 2021, Feruzan Durdaj dhe Zamira Durdaj, prindërit e 7 vjeçarit Erison Durdaj që humbi jetën tragjikisht nga shpërthimi i Gërdecit në pranverën e 2008, iu drejtuan organeve të drejtësisë së re për të rifilluar ndjekjen penale ndaj Fatmir Mediut, ish Ministër i Mbrojtjes.

Në mesdita e 18 marsit të vitit 2008 26 persona mbetën të vdekur, mes tyre edhe fëmijë,  ndërsa dhjetëra mbetën të plagosur nga shpërthimi i municioneve në një fabrikë demontimi municionesh.

Top Channel