Operacioni antidrogë në Tiranë, policia jep detajet: Sekuestruam 1 kg kokainë, arrestohet shoferi i pabindur!

27/07/2021 18:47

Detaje të reja janë zbardhur nga operacioni i zhvilluar ditën e sotme në kryeqytet, ku u arrestua një person, i cili si fillim nuk iu bind urdhrit të policisë për të ndaluar, por u kap vetëm pak minuta më pas.

Video e publikuar në media nga ky moment, bëri xhiron e rrjetit, ndërsa shihen efektivët e policisë që i kërkojnë të riut të dorëzohet, ndërsa ky i fundit xhiron gomat dhe largohet.

Sipas një njoftimi të dhënë nga policia mësohet se shtetasi i lartpërmendur është vënë nën pranga, ndërsa policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale 1 kilogramë e 128 gramë kokainë.

Më tej, në njoftim thuhet se operacioni po vijon dhe në përfundim të hetimeve do të ketë edhe një deklaratë përfundimtare.

Të revoltuar nga dështimi i operacionit, duket se efektivët e RENEA-s ushtrojnë kontrolle në zonën përreth dhe në një moment shtrinë në tokë pa asnjë shpjegim gazetarin Ergys Gjençaj, i cili po filmonte operacionin nga automjeti i TV News24.

Për këtë veprim, Policia ka nisur verifikimin për respektimin e proceduarave gjatë ndërhyrjes në operacion.

Lexo edhe këtu -> https://top-channel.tv/2021/07/27/kapet-personi-qe-i-iku-policise-nis-hetimi-per-dhunen-ndaj-gazetarit-pamjet-nga-operacioni1/

Njoftimi i plotë i policisë:

Sektori për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë, mesditën e sotme zhvilloi një operacion për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes së drogave të forta. Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë ndaluar një automjet, për ta kontrolluar, por drejtuesi i automjetit nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë për të hapur dyert e makinës dhe është larguar me shpejtësi duke rrezikuar jetën e punonjësve të Policisë. Pas disa minuta ndjekjeje nga ana e Policisë, është bërë i mundur bllokimi i mjetit dhe ndalimi i drejtuesit të tij, i cili është i shoqëruar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë. Nga ana e strukturave hetimore të DVP Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë, po shqyrtohen dhe analizohen veprimet e drejtuesit të mjetit dhe arsyeja e kundërshtimit të urdhrit të punonjësve të Policisë.

Policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale 1 kilogramë e 128 gramë lëndë narkotike të dyshuar kokainë dhe ka shoqëruar disa persona.
Operacioni është në vijim dhe në përfundim të veprimeve të para hetimore do ketë një deklaratë përfundimtare për median dhe publikun.

Ndërkohë, nga ana e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit është duke u verifikuar respektimi i proceduarave gjatë ndërhyrjes në operacion, si dhe lidhur me incidentin e ndodhur me gazetarin e TV Neës 24, z.Ergys Gjençaj.

Policia e Shtetit mbetet e përkushtuar për të goditur çdo paligjshmëri, për të garantuar transparencë dhe siguruar mediat të kryejnë rolin e tyre. Asnjë incident i izoluar nuk do të ndikojë në këtë angazhim, për më shumë siguri për qytetarët.

Top Channel