Zbardhet vrasja në Klos/ 47-vjeçari u godit për vdekje nga bashkëshortja dhe vajza

26/07/2021 14:54

Ylber Lezi është vrarë nga bashkëshortja e tij Mine dhe vajza Aida pas konfliktit të ndodhur mes tyre mbrëmjen e djeshme, sipas hetimeve të policisë.

Nënë e bijë janë arestuar nga policia për veprën penale “Vrasja për shkak të marrdhënieve familjare “.

Kanë qenë banorët e fshatit që kanë dëgjuar një zhurmë të dyshimtë, por nuk kanë hyrë në banesë.

Ata kanë lajmëruar policinë e cila mbërriti pas 30 minutash. Bashkëshortja Mine Lezi ka dashur të pengojë policinë që të bëjë kontroll në banesë.

Pasi është gjetur trupi i pajetë janë shoqëruar në polici bashkëshortja e viktimës si dhe e bija.

Personat që e njohin familjen tregojnë se ajo kishte shumë probleme, me varfërinë, sëmundjet mendore dhe përdorimin e alkiolit.

Policia pasi hyri me forcë në banesë, ndaloi gruan dhe vajzën e viktimës të cilat dyshohet se e kanë vrarë duke e goditur ne kokë me dru dhe gurë.

Sipas banorëve gruaja ishte me probleme të shëndetit mendor, por edhe e bija vuante nga depresioni dhe askush prej tyre nuk kurohej.

Klos, Mat

Zbardhet dhe dokumentohet ngjarja e ndodhur më datë 25.07.2021, në fshatin Gurrë e Vogël, Klos, ku u gjet pa shenja jete shtetasi Y. L.  Arrestohet bashkëshortja dhe vajza e tyre, si të dyshuara  për vrasjen e 47-vjeçarit.   Në vijim të veprime të kryera nga grupi i posaçëm hetimor, i ngritur në Komisariatin e Policisë Mat, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Mat, në bazë të provave të grumbulluara u bë arrestimi në flagrancë i shtetaseve : M. L., 51 vjeçe dhe A. L., 21 vjeçe (nënë e bijë). Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera dyshohet se dy shtetaset e lartëpërmendura në bashkëpunim me njëra tjetrën, në banesë  kanë goditur me sende të forta duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme shtetasit Y. L. Materialet procedurale  iu referuan Prokurorisë se Rrethit Gjyqësor Mat, për veprën penale “Vrasja për shkak të marrdhënieve familjare “.

Top Channel