Shkolla e re pas tërmetit/ Arkitektët që realizuan projektin në Durrës janë vlerësuar me çmim

26/07/2021 19:46

Shkolla ‘Bedrie Bebziqi’ ne Durrës ka përfunduar rikonstruksionin e saj pas dëmtimit serioz që pati nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit 2019.

Kjo është pamja e kësaj shkolle 9 vjeçare e cila në ngjyrat dhe mënyrën se si është rikonstruktuar ka gjallëruar gjithë zonën. Arkitektët që e kanë realizuar janë vlerësuar për këtë punë me çmimin e arkitekturës nga nisma e Evropës juglindore për ekonominë dhe inovacionin.

Shkolla doli jashtë funksioni nga tërmeti i 2019. Ajo në fillim ishte ndërtuar për banim e më pas u kthye në shkollë për 450 nxënës. Duke mos u dizajnuar si një objekt arsimor që në fillim, projekti kishte disa çështje per zgjidhje. Madhësia e vogël prej 745 m2, afërsia me ndërtesat shumëkatëshe dhe numri i madh i nxënësve, ishin disa nga sfidat për t’u adresuar.

Qëllimet kryesore ishin: orientimi i duhur i klasave, krijimin e ambienteve çlodhëse dhe shtimi i hapësirave për mësim. Këto vështirësi u zgjidhën nga arkitektët të cilët krijuan edhe një mjedis të këndshëm plot ngjyra për fëmijët.

Kjo shkollë është kthyer në pikë referimi për të gjithë lagjen, dhe dallon për gjallërinë e saj në mesin e ndërtimeve gri të kohës së komunizmit. Në shtator kjo shkollë do gumëzhinë nga fëmijët, por edhe do jetë e para shkollë e rindërtuar që do mbajë edhe këtë çmim shumë dinjitoz për arkitekturën.

Top Channel