Kjo e sotmja është shpallur ditë zije në Kosovë për viktimat e aksidentit të rëndë rrugor te ndodhur në Kroaci një ditë më parë.

Flamuri është ulur në gjysmë shtizë në institucionet kryesore të vendit, qytetarët në Prishtinë ndezën qirinj ndërsa presidentja Vjosa Osmani, ndërpreu vizitën në Japoni. Kryeministri Albin Kurti, të dielën mbrëma të plagosurit në Sllavonski Brod, ku tha se kjo tragjedi është tepër e rëndë për vendin.

Dhjetë persona me origjinë nga Kosova humbën jetën dhe mbi dyzet të tjerë u plagosën kur autobusi me të cilin udhëtonin, doli nga rruga në qytetin kroat. Mjeti me 67 pasagjerë, përfshirë fëmijë, ishte nisur nga Frankfurti për në Prishtinë. Dinamika e ngjarjes ka nisur të zbardhet ngadalë me kalimin e orëve. Duket se shoferin që po drejtonte mjetin në ato momente e ka zënë gjumi në timon, ç’ka solli dhe daljën e autobusit nga rruga.

Ai tashmë është vënë në pranga. Në mesin e viktimave është edhe shoferi tjetër, i cili vetëm 30 minuta përpara tragjedisë ia kishte kaluar timonin kolegut. Nga aksidenti humbën jetën edhe një nënë 45- vjeçare, Valentina Binakaj si dhe vajza e saj 19 vjeçe, Erlinda, ç’ka u konfirmua nga të afërmit e tyre. Deputetja shqiptare në parlamentin kroat, Ermina Lekaj-Përlaskaj tha se aq shumë ishin dëmtuar disa prej viktimave, sa një baba nuk e kishte njohur dot fëmijën e tij.

Mediet kroate rindërtuan dhe momentin e aksidentit përmes projeksioneve 3D, duke treguar sesi mjeti po ecte normalisht normalisht kur papritur del nga rruga e rrokulliset.

Top Channel