Marin Mema vijon punën me shtëpitë e tërmetit krah shoqatës “Sali Çekaj” (FOTO)

26/07/2021 22:06

Gazetari Marin Mema së bashku me përfaqësuesin e shoqatës që mban emrin e heroit të madh të UÇK “Sali Çekaj”, Xhemajl Haxhiu, kanë ndjekur nga afër punimet që po kryhen në fshatin Bubq.

Familja Zela ku po realizohen këto punime të fundit ka gjashtë anëtarë, tre prej të cilëve me probleme të rënda shëndetësore. Gjyshja e shtëpisë vuan nga azma dhe problemet në të ecur. Njëri nga djemtë vuan nga problemet e shëndetit mendor, djali tjetër nga depresioni. Në ndërkohë djali i tretë me bashkëshorten dhe dy fëmijët 1 dhe 3 vjeç jetonin gjithashtu në shtëpinë e shkatërruar nga tërmeti.

Shtëpia siç ka bërë të ditur gazetari Marin Mema do të kushtojë 3,2 milionë lekë, shumë të cilës i shtohet edhe mobilimi i plotë i saj dhe do të jetë gati në pak javë. Shoqata “Sali Çekaj” është e njohur gjerësisht në mërgatë për aksionet e saj humanitare, por edhe në mbështetje të çështjes shqiptare.

Në ndërkohë gazetari Mema ka bërë të ditur edhe bashkëpunimin me Lidhjen e Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë me te cilët është ndihmuar familja Llyçi në Katund të ri të Durrësit. Po kështu puna sipas gazetarit Mema vijon edhe në bashkëpunimin me tre klube shqiptare në St.Gallen (Besa, Plisat, Dardania e shoqatave të tjera) në zona të tjera të prekura nga tërmeti.

Pas dorëzimit të shtëpive të reja në disa zona në Likesh, Shijak, Tapizë, Bubq , Krujë në bashkëpunim me “Albanian Roots”, Mema ka theksuar se kjo organizatë me qendër në USA po ndjek hap pas hapi projektin e Ishmit. Duke qenë se fondi zotërohet tërësisht nga “Albanian Roots” projekti po ndiqet plotësisht prej tyre si kontrollues dhe përgjegjës së këtij fondi.

Ndryshe nga të tjerët, Marin Mema ka publikuar edhe kostot e shtëpive të ndërtuara dhe parametrat e tyre teknikë. Kostot e të gjitha shtëpive të ndërtuara siç ai qartësoi janë mes 3,2 dhe 3,8 milionë lekë në bazë të sipërfaqes duke përfshirë edhe mobilimin e plotë të tyre.

Po kështu janë ndihmuar edhe 500 familje të prekura nga tërmeti, por edhe të tilla me probleme sociale. Këto familje janë regjistruar për transparencë në regjistrat përkatës, por pa u përdorur për fotografi e reklamë siç bëjnë politikanët tha Mema. Ndihma është prej shqiptarëve kudo janë dhe janë ata që duhen falenderuar përfundoi Marin Mema.

FOTO GALERI
1/67

Top Channel