‘Doja të ndihmoja, por disa kishin vdekur’/ Flet pasagjeri që ishte në gjumë gjatë aksidentit tragjik: Hapa sytë nga goditja dhe britmat…

26/07/2021 22:04

10 qytetarë kosovarë nuk mundën dot të shkonin në vendlindje pas aksidentit tragjik të ndodhur ditën e djeshme në autostradën Sllavonski Brod në Kroaci, ndërsa dëshmitë rrëqethëse nga ky aksident i tmerrshëm vijojnë ende!

Disa prej udhëtarëve të plagosur lehtë dolën nga spitali, ndërsa të tjerë të lënduar rëndë ndodhen ende nën kujdesin e mjekëve.

Drilon Muji, një prej pasagjerëve ka folur për mediat, duke treguar momentet e tmerrshme që përjetoi gjatë përplasjes.

Ai shprehet se shkoi në Gjermani për të vizituar babin e tij. Kur ndodhi aksidenti ai ishte në gjumë dhe u zgjua nga goditja e britmat e pasagjerëve të tjerë.

“Kur hapa sytë, pashë që dikush theu xhamin e autobusit dhe doli përmes tij, kështu që unë e ndoqa instinktivisht. Kur dola, mendova se kjo nuk ishte një ëndërr. Fillova të ndihmoj njerëzit, disa u plagosën, disa me dëmtime më serioze, disa kishin vdekur”, tha Muji.

Aksidenti i rëndë me 10 viktima dhe 45 të plagosur ndodhi rreth orës 06:20 të mëngjesit, ndërsa autobusi me targa të Kosovës vinte nga Frankfurti, Gjermani, drejt Prishtinës, ndërsa në bord kishte 67 pasagjerë dhe dy shoferë, ku njëri humbi jetën në aksident.

FOTO GALERI
1/10

Top Channel