Mjeku Tritan Kalo, me konfirmimin e pranisë së varianit Delta të COVID një ditë më parë në vendin tonë, thotë se ato që quhen rregulla të thjeshta janë të domosdoshme për të penguar përhapjen e infeksionit, si: higjiena, distancimi social dhe vendosja e maskës në ambientet e mbyllura.
Kalo thotë se këto masa, të përdorura ndër dhjetëra vite, nuk e kanë humbur vlefshmërinë e tyre.
“Nuk është kurrë vonë për t’u përkujdesur për shëndetin tuaj dhe të të gjithë atyre, të cilët gjallojnë rreth jush. Vetndërgjegjësim dhe vetëm vetëndërgjegjësim. Hyrja e variantit “Delta” të virusit Sars-Cov2/Covid-19 është në vijimësi të qarkullimit nëpër botë, edhe të varianteve të tjera që prej atij të Wuhan-it, nga ishte pikënisja e kësaj Pandemije ose “flame mbarëbotërore”. Masat standarde të stërprovuara ndër dhjetëra vite për uljen e vrullit dhe pakësimin e humbjeve njerëzore, MHD (Maskë, Higjenë personale e kolektive, Distancim social) nuk e kanë humbur aspak vlefshmërinë e tyre kur dhe aty ku është e mundur, që ato të zbatohen dhe respektohen.
Nëse mes nesh ka individë ose grupe individësh që ngurojnë të vaksinohen kundër virusit Sars-Cov2/Covid-19, së paku mos u bëni pengues për të tjerët, që ata/ato të përfitojnë nga dobiprurja e procesit të vaksinimit, ulja e mundësisë së infektimit, kalimi i sëmundjes në forma më të lehta si dhe evitimi i hospitalizimeve në forma të rënda të sëmundjes, ose në më të keqen humbjen e jetës prej saj. Jeta e çdo Shqiptari është e paçmimtë për të, për familjen e tij dhe për të gjithë Shqiptarinë. Në çdo kohë ne jemi për ju në vijën e parë të “luftës me armikun e padukshëm”, që me punën, përkushtimin, profesionalizmin dhe përkujdesjen tonë t’ju vijmë në ndihmë në përballjen tuaj me infektimin nga virusi Sars-Cov2/Covid-19. Javë të mbarë miq, kolegë, të afërm dhe bashkatdhetarë”, shkruan Kalo.
Top Channel