Arrestohen 2 persona në Malësi të Madhe/ Njëri kultivoi drogë në fshat, tjetri plagosi 17-vjecarin

26/07/2021 18:13

Një 57-vjeçar është arrestuar nga policia e Shkodrës pasi u kap duke kultivuar bimë narkotike në fshatin Kçar i Poshtëm, Malësi e Madhe.

Ai u kap duke kultivuar kanabis në vendin e quajtur “Ziça” dhe akuzohet për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.

“Në vijim të kontrollit të territorit për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike, nga strukturat e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, është arrestuar në flagrancë shtetasi P. M., 57 vjeç, banues në fshatin Kçar i Poshtëm, Malësi e Madhe, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”. Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi në vendin e quajtur “Ziça”, në fshatin Kçar i Poshtëm, Malësi e Madhe, kishte kultivuar bimë narkotike cannabis sativa”, njofton policia.

Ndër të tjera, është arrestuar një 21-vjeçar për plagosje të rëndë me dashje. I riu akuzohet se ka plagosur me mjet prerës një 17-vjeçar.

“Gjithashtu. nga strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe u bë arrestimi në flagrancë për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”, i shtetasit Ç. S.  21 vjeç, banues në Koplik, Malësi e Madhe, pasi ky shtetas, gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka plagosur me mjet prerës, shetasin D. K., 17 vjeç, banues në Koplik, Malësi e Madhe”, njofton policia.

Metrialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Top Channel