Aksidenti tragjik në Kroaci/ Reagon agjencia “Deva”: Jemi përpjekur për shërbim sa më të mirë, por tragjedia na preu rrugën

26/07/2021 16:35

Agjencia “Deva Tours” ka reaguar pas tragjedisë së rëndë që ndodhi me autobusin që po sillte emigrant nga Frankfurti drejt Kosovës. Dyshohet se përgjumja e shoferit shkaktoi aksidentin e rëndë që mori jetën e 10 personave dhe plagosi 45 të tjerë.

Me anë të një reagimi, agjencia shpreh ngushëllimet për të gjithë familjarët dhe të afërmit e viktimave në aksident. Ndër të tjera , shkruan se “fatkeqësisht kjo tragjedi na preu rrugën dhe na mori me vete më të dashurit, dhe poashtu edhe kolegun tonë shembullor Naserin i cili la gjurmë të pashlyeshme në kujtesën tonë si njeri i mire, punëtor i zellshëm dhe i kompletuar.”

Naser Sylmetaj 47 vjeçar, ishte viktima e parë e konfirmuar nga aksidenti i ndodhur në Kroaci. Sylmetaj ishte shofer autobusi në agjencinë “Deva Tours”, që dërgonte emigrantë nga Frankfurti në Kosovë. Në momentin kur ndodhi aksidenti, autobusi po drejtohej nga shoferi tjetër, i cili dyshohet se ishte i përgjumur nga drejtimi i mjetit për një kohë të gjatë.

Reagimi i plotë

Të dashur familjarë dhe të afërm të pasagjerëve, vëllezër dhe motra,

Me trishtim dhe dhimbje të madhe po e përjetojmë çdo sekond të tragjedisë së djeshme e cila do të na përcjellë gjatë gjithë jetës! Është e vështirë të gjinden mendimet dhe fjalët racionale për t’a përshkruar peshën e dhimbjes që secili nga ne po e bart mbi supe. Bashke ndjejmë sot me secilin prej jush me ndjenjat më të sinqerta të dhembshurisë pasi që ata ishin edhe vëllezërit dhe motrat tona me të cilët kemi bashkëudhëtuar shumë herë.

Si gjithmonë, jemi përpjekur të jemi maksimalisht në krye të detyrës dhe shërbimit sa më të mirë për bashkatdhetarët tonë. Por, fatkeqësisht kjo tragjedi na preu rrugën dhe na mori me vete më të dashurit, dhe po ashtu edhe kolegun tonë shembullor Naserin i cili la gjurmë të pashlyeshme në kujtesën tonë si njeri i mire, punëtor i zellshëm dhe i kompletuar.

Pranoni edhe një herë ngushëllimet tona më të sinqerta!

Duke ju falënderuar organeve të shtetit Kroat dhe Kosovar për gatishmërinë e treguar, mbesim të hapur dhe me besimin e plotë që do të zbardhet çdo rrethanë rreth kësaj ngjarje.

Me mendje, zemër dhe lutje do të jemi çdo moment me të lënduarit të cilëve ju dëshirojmë shërim sa më të shpejtë dhe t’i kthehen familjeve të tyre.

Prane jush me dhimbje te madhe,

Deva Tours

Top Channel