Kushtet e reja ekonomike dhe gjeopolitike të krijuara nga pandemia mund të kthehen në një burim mundësish për ekonominë shqiptare, nëse biznesi, grupet e interesit dhe qeveria do të mund t’i shfrytëzojnë këto shanse pa humbur kohë.
Hapja e vendeve të reja të punës, rritja e produktivitetit, sasia e kapitalit fizik, investimet në makineri dhe pajisje, si dhe përmirësimi i teknologjisë së prodhimit, janë arsyet e rritjes së eksporteve dhe rrjedhimisht, ajo që në mënyrë dinamike do të sjellë rritjen ekonomike.
Kushtet e reja ekonomike dhe gjeopolitike të krijuara nga pandemia mund të kthehen në një burim mundësish për ekonominë shqiptare, nëse biznesi, grupet e interesit dhe qeveria do të mund t’i shfrytëzojnë këto shanse pa humbur kohë.
Shqipëria mund ta shfrytëzojë më shumë dhe më mirë këtë situatë, për t’u bërë një nga furnizuesit e rëndësishëm për veshjet dhe pajisjet mjekësore në afatshkurtër, duke zëvendësuar furnizimet në ato vende që po rishikojnë marrëdhëniet tregtare me Kinën, Vietnamin, etj.
Gjithashtu, kërkesa më e lartë për perime të freskëta dhe prodhime organike, krijon mundësi të re për bujqësinë. Kufizimet dhe frenimet për turizmin ndërkontinental do të nxisin udhëtimet tokësore në Shqipëri. Duke u bazuar pikërisht në këto kërkesa të definuara nga ecuria e shkëmbimeve tregtare, sugjerohen tri elemente kryesore, që mund të sigurojnë performancën e suksesshme tregtare të një vendi:
Mbështetja për infrastrukturën që ka lidhje me tregtinë
Lehtësimi i tregtisë dhe përmirësimi i rregullave dhe procedurave;
Marrëdhëniet efektive shtet-biznes.
FMN analizon se, në dallim nga eksportet me vlerë të lartë të vendeve fqinje si Serbia dhe Maqedonia, eksportet e Shqipërisë janë kryesisht në sektorët e tekstilit dhe këpucëve, si dhe nafta e mineralet. Për rrjedhojë, perspektivat e rritjes janë të kufizuara nga pikëpamja afatmesme, e ndikuar nga çmimet e naftës, veçanërisht duke pasur parasysh koston relativisht të lartë për shfrytëzimin e naftës shqiptare. Gjithashtu, përqendrimi i eksporteve në sektorët me vlerë të ulët mund të jetë pengesë për rritjen e ardhshme ekonomike.
Treguesit e bazuar në anketime sugjerojnë se konkurrenca e Shqipërisë është përmirësuar, por hendeku i konkurrencës me vendet e rajonit vazhdon. Më shumë se gjysma e eksporteve shqiptare shkojnë në Itali. Disa prej këtyre produkteve, veçanërisht tekstilet, përpunohen në Shqipëri nga porositësit dhe më pas rieksportohen në tregje të tjera.
Një pjesë e madhe janë destinuar për konsum final në Itali, duke e bërë Shqipërinë të varur nga një vend me potencial të ulët rritjeje. Nga ana tjetër, flukset hyrëse të IHD-ve janë rritur kryesisht në sektorin energjetik dhe sektorët e minierave, por mbeten të kufizuara në sektorë të tjerë të tregtueshëm, gjë që dikton se, rritja e Investimeve të Huaja Direkte nuk mund të gjenerojë rritje të konsiderueshme të eksporteve.
Nëse do t’u referohemi përvojave nga vendet e zhvilluara, është e domosdoshme që të mendohet për ndërtimin e një sistemi më funksional për mbështetjen e biznesit dhe eksporteve shqiptare, ku mund të përfshihej:
Ngritja e grupeve/ stafeve të specializuara për mbështetjen dhe nxitjen e eksportit
Bashkëpunimi me institucionet kërkimore dhe arsimore për ndërmarrjen e studimeve të veçanta për tregjet e huaja potenciale për eksportin e produkteve shqiptare, apo identifikimin e plotë të produkteve të eksportit me avantazh të krahasuar të shfaqur, (RCA), etj.
Hartimi i programeve të edukimit dhe trajnimit për eksportin
Zhvillimi i programeve të mbështetjes financiare për kompanitë që kanë potenciale për eksport, për zgjidhjen në mënyrë të qëndrueshme të nevojave të tyre, që lidhen me plotësimin e standardeve të cilësisë;
Mbulimi i analizave – kërkimeve të tregjeve, etj.
Mbulimi i shpenzimeve fillestare të marketingut, etj.
Për të kontribuar në punën e mëtejshme në përmirësimin e eksportit, institucionet apo dhe shumë struktura të qeverisë dhe biznesit mund të ndjekin rekomandimet që sugjerohen nga ekspertët:
Grumbullimi dhe sigurimi i të dhënave analitike dhe të qëndrueshme për produktet kryesore që prodhohen për tregjet europiane, etj.
Identifikimi i prodhuesve dhe tregtarëve me shumicë, që lidhen me eksportin e produkteve të ndryshme.
Identifikimi i produkteve që kanë potenciale për eksport, të cilat ende nuk kanë arritur të gjejnë tregje;
Identifikimi i prodhimeve vendase dhe prodhuesve, të cilët kanë nevojë për mbrojtje të përkohshme nga importimi i këtyre produkteve.
Identifikimi i produkteve, të cilat mund të hiqen nga importet, apo zëvendësojnë ato dhe të cilat ekonomia jonë mund t’i prodhojë në vend.
Shtimi dhe rritja e fushatave promovuese për konsumin e prodhimeve bujqësore-blegtorale dhe ato të industrisë së lehtë dhe ushqimore vendase, të cilat janë produkte biologjikisht të pastra dhe janë shumë të kërkuara nga tregjet europiane.
Më shumë se sa lehtësitë fiskale, prodhuesit kërkojnë reforma strukturore, që të nxitet prodhimi vendas dhe të rritet baza e eksporteve. Gjithashtu, kërkohet të nxiten investimet për përpunimin e lëndëve të para dhe për të rritur vlerën e shtuar për eksport.
Ecuria e eksporteve
Publikimi i të dhënave për tregtinë e jashtme për muajin prill dhe maj 2021, nxori në pah një fakt mjaft pozitiv. Eksportet shqiptare janë rigjallëruar këtë fillimvit, duke tejkaluar madje edhe nivelet e parakrizës së Covid-19.
Sipas INSTAT, në prill 2021 eksportet e mallrave arritën vlerën 29 mld lekë, duke u rritur me 92,3%, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Krahasuar me mesataren mujore të tre viteve, 2018-2020, deficiti tregtar në muajin prill 2021 u rrit me 32,1%.
Ndërsa asistenca shtetërore ndaj eksporteve mund të fokusohet në informacionet për tregjet potenciale, ofrim të kreditimit me kosto të ulët, trajnime për të njohur dhe për të kuptuar ligjet ndërkombëtare të tregtisë ndërkombëtare, si dhe vendosje të standardeve të cilësisë në tregun lokal dhe ndërkombëtar.
Sipas ekspertëve të ekonomisë, konkludohet se rritja e eksporteve kërkon investime në teknologji, për t’i bërë eksportet e saj më konkurruese. Liberalizimi i tregjeve rajonale sigurisht që ka lehtësuar dhe do të lehtësojë zhvillimin e eksporteve, por gjithashtu ekonomia jonë do të jetë e detyruar të hapë tregun e saj për importet. Për këtë arsye lind nevoja urgjente për ta bërë ekonominë tonë më konkurruese. /Monitor/
Top Channel