Detaje të reja rreth aksidentit tragjik në Kroaci: Shoferi dhe nëntë pasagjerë kosovarë kanë vdekur

25/07/2021 10:07

Një autobus me targa të Kosovës, i cili po udhëtonte drejt Frankfurtit nga Prishtina, ka pësuar aksident të rëndë duke dal jashtë rrugës afër Slavonski Brod.

Autoritet kroate kanë konfirmuar se deri më tani të paktën dhjetë persona kanë vdekur gjersa dhjetëra të tjerë kanë pësuar lëndime , raporton index.hr.

Kreu i Mbrojtjes Civile të Kroacisë, Damir Trut, i cili është në vendin e ngjarjes ka dhënë detaje të reja.

“Kishte 67 pasagjerë dhe dy shoferë në autobus. Për fat të keq, 9 pasagjerë dhe një shofer mbetën të vdekur”, tha Trut.

Ai ka pohuar se “44 pasagjerë u pranuan në spitalin e Slavonski Brod. Tetë prej tyre janë në gjendje të rëndë, katër u operuan. 14 pasagjerë dhe një shofer janë në stacionin e policisë, në pritje për t’u akomoduar në një strukturë të siguruar nga qarku”, tha Trut teksa ka pohuar se kishte fëmijë në autobus.

Menjëherë pas lajmit tragjik , kryeministri i Kroacisë reagoi duke thënë se ai është i gatshëm të ndihmojë çdo familje dhe është pranë autoriteteve kosovare për çdo gjë.

“Me trishtim të madh morëm lajmin për aksidentin e një autobusi në rrugën afër Slavonski Brod, ku humbën jetën 10 persona. Ne jemi me familjet e viktimave dhe autoritetet e Kosovës, të cilëve u shprehim ngushëllimet tona më të thella. Shpresoj që pasagjerët e lënduar të shërohen. Për aksidentin e tmerrshëm, unë fola me Ministrin e Brendshëm, Davor Bozinovic dhe Ministrin e Shëndetësisë, Vilija Beros. Ministri Beroš dhe drejtori i mbrojtjes civile Trut u drejtuan për në Slavonski Brod për t’u njohur me të gjitha rrethanat e aksidentit dhe për t’u ofruar kujdes shëndetësor pasagjerëve të plagosur”

Ndërkohë kryeministri Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani në reagimet e para  për ngjarjen shprehën ngushëllimet dhe uruan që të ketë sa më pak viktima.

Ndërkohë  drejt vendit të ngjarjes ishte nisur dhe ministri i punëve të brendshme, ambasadori i Kosovës në Zagreb si dhe deputetja e vetme shqiptare në Parlamentin e Kroacisë, Ermina Lekaj Prljaskaj.

 

FOTO GALERI
2/9

Top Channel