Turizmi, ende larg vitit 2019/ Rikthehen polakët, më shumë pushues nga Kosova, më pak kthim të emigrantëve

24/07/2021 12:44

Turizmi shqiptar po arrin nivelet e parakrizës dhe e gjitha kjo falë trevave tona.

Në vendin tonë gjatë muajit qershor kanë hyrë 604 mijë shtetas rreth 3.4 herë më shumë se në 2020-ën, dhe vetëm 4% më pak se në 2019-ën. Ndërkohë janë 335 mijë shqiptarë që kanë ardhur për vizita dhe pushime në vendin tonë, numër gjithashtu më i ulët se në 2019-ën.

Kosovarët janë në krye të shtetasve që vijnë për turizëm në Shqipëri dhe janë rreth 62% më shumë se në 2019-ën. (TAB 2) Shumë prej tyre banojnë në vende si Zvicra, Belgjika, Gjermania dhe për shkak të heqjes së kufizimeve, Shqipëria vazhdon të mbetet vendi i tyre i preferuar për të pushuar.

Ata ndiqen nga shtetasit e Maqedonisë së Veriut që gjithashtu patën një rritje të lehtë me 1% dhe zënë vendin e dytë sa i përket hyrjeve në Shqipëri.

Nga vendet e Bashkimit Europian, turistët polakë patën rikthimin më të madh në vendin tonë. Gati 20 mijë shtetas erdhën nga ky vend, por janë 23% më pak se në 2019-ën. Më pas rritje në hyrje pati edhe nga shtete si Zvicra.

Nga krahu tjetër Gjermania, Italia dhe Greqia patën një rënie të fortë me ardhjen e tyre në vendin tonë.
Ndërkohë rreth 370 mijë shqiptarë kanë dalë nga vendi ynë në muajin qershor për të kryer pushime jashtë dhe rreth 500 mijë të huaj që janë rikthyer në vendet e tyre respektive.

Top Channel