Me automatik të mbushur me fishekë në sediljen e parë të makinës, arrestohet 32-vjeçari (Emri)

24/07/2021 11:44

Një 32-vjeçar është është arrestuar në Korçë, pasi gjatë kontrollit në makinë i është gjetur një armë zjarri tip automatik.

Klaudio Shameti po udhëtonte me mjetin tip “Benz”, në fshatin Rëmbec të Maliqit, kur u ndalua nga policia. Automatiku që mbante pa leje dhe 9 fishekë u sekuestruan nga policia si provë materiale.
32-vjeçari do të hetohet nga Prokuroria e Korçës për “armëmbajtje pa leje”.

Njoftimi i policisë:

Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë dhe të komisariateve në varësi të saj, vijojnë kontrollet e befasishme në kohë dhe vende të ndryshme, me qëllim kapjen e personave me precedent kriminal, personave në kërkim dhe të atyre që qarkullojnë me armë zjarri me vete.

Si rezultat i kontrolleve të befasishme, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative se një person qarkullonte me armë zjarri me vete, shërbimet e Policisë të Forcës së Posaçme “Shqiponja” në DVP Korçë, në fshatin Rëmbec, Maliq, kanë ndaluar mjetin tip “Benz” me drejtues shtetasin K. Sh., 32 vjeç, banues në fshatin Belorta, Korçë. Gjatë kontrollit të ushtruar në mjet, këtij shtetasi iu gjet e sekuestrua në cilësinë e provës materiale një armë zjarri tip automatik me 9 fishekë, të cilat i posedonte pa leje.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore të kryera nga specialistët e Hetimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Korçë, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit K. Sh., për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë për veprime të mëtejshme.

Top Channel