Me 182 km/h – 11 shoferë në pranga në 24 orë, Policia apel: Mos ‘fluturoni’ në rrugë për të arritur sa më parë detin

24/07/2021 16:17

“Respektoni rregullat e qarkullimit rrugor që të arrini në destinacion të sigurt dhe me patentë në xhep. Mos fluturoni në rrugë për të arritur sa më parë detin, se në rastin më të mirë do arrini radarin dhe policin rrugor dhe në rastin më të keq aksidentin”, është kjo thirrja që policia rrugore ka për drejtuesit e automjeteve.

Ndërkohë që, mësohet se nga kontrollet e intensifikuara në të gjitha akset rrugore, duke përdorur dronë, radarë, kamera dhe makina të pa loguara rezulton se gjatë 24 orëve të fundit janë vënë nën pranga 11 persona, janë pezulluar 50 leje drejtimi si dhe janë ndëshkuar me masë administrative 1804 shoferë.

Gjatë 24 orëve të fundit janë ndëshkuar me masë administrative 1804 drejtues mjetesh, për shkelje që janë rrezik potencial për përfshirje në aksidente rrugore, si parakalime e manovra të rrezikshme në rrugë, shpejtësi tej normave të lejuara, përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit, mos vendosje të rripit të sigurimit apo kaskës mbrojtëse, drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit apo pa leje drejtimi.

Gjithashtu janë vënë në pranga 11 shtetas, nga këta 6 për drejtim mjetin në gjendje të dehur dhe 5 të tjerë për drejtim mjeti pa leje drejtimi, si dhe janë pezulluar 50 leje drejtimi, nga të cilat 35 për drejtim mjeti me shpejtësi tej normave të lejuara, që varionte deri në 182 km/h në rrugën interurbane Fier-Vlorë, dhe 15 leje drejtimi për drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit.

Top Channel