Arrestohet 41-vjeçari në Pikën Kufitare të Portit e Durrësit, tentoi të korruptonte policin me 50 euro

24/07/2021 09:03

Një 41-vjeçar është arrestuar nga policia e Durrësit sepse tentoi të korruptonte punonjësit e Policisë Kufitare në Port.

Ai ka dorëzuar dokumentet për të udhëtuar jashtë Republikës së Shqipërisë drejt Italisë, të cilat ishin të pamjaftueshme në bazë të kritereve të vendosura nga vendet e tjera, për shkak të COVID-19.

Punonjësi i Policisë pasi i ka bërë me dije se nuk mund të udhëtonte për shkak të mosplotësimit të kritereve, ai i ka dhënë përsëri pasaportën me një kartëmonedhë të prerjes 50 euro në brendësi të saj, me qëllim shmangien e procedurave të kontrollit të dokumentacionit për kalimin drejt Italisë në mënyrë të paligjshme.

“Në vijim të veprime, specialistët për Hetimin e Krimit Financiar-Ekonomik pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës kanë arrestuar në flagrancë shtetasin N. G., 41 vjeç, banues në Mirditë, për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” – njofton policia.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.

Top Channel