Risia e regjistrimeve për vitin e ri shkollor përmes portalit e-albania duket se nuk ka funksionuar në 182 institucione arsimore.

Aplikimi online ka shqetësuar prindërit pasi jo të gjithë kanë kuptuar mënyrën ndryshe të regjistrimit apo nuk kanë pasur mjetet e nevojshme teknologjike si dhe sistemi ka qenë tepër i ngarkuar, e ndërkohë që janë fëmijët ata që mund të penalizohen.

Këtë e tregojnë edhe shifrat e aplikimit teksa procesi i regjistrimeve sipas njoftimeve ka përfunduar, ku Top Channel mëson se nga 30 mijë fëmijë që u ulën vjet për herë të parë në bankat e shkollës, këtë vit ka pasur vetëm 5580 aplikime virtualisht në total.  Ndërsa në klasat e 10 janë gjithsej 7343 aplikime nëpërmjet portalit e-albania.

Pas interesimit së Top Channel, Ministria e arsimit pranoi ngërçin me regjistrimet dhe tha se është duke u planifikuar një hapje e dytë e portalit, por që ende nuk është përcaktuar se kur. Në mbledhjen që pritet të mbahet në ministri do të diskutohen edhe rastet përjashtimore që aplikimin për regjistrim do të mund ta bëjnë fizikisht në shkolla. Ndërkohë që pushimet kanë nisur edhe në institucionet shtetërore, prindërit janë në merak për arsimimin e fëmijëve në vijim.

Top Channel