Rama pret këngëtaren Dua Lipa: Çfarë çike, të rrojë e të mbretërojë 100 vjet në fronin ku është ulur

23/07/2021 14:38

Këngëtarja shqiptare Dua Lipa e shoqëruar nga familja dhe i dashuri i saj ka mbërritur në Shqipëri për të festivalin “Sunny Hill” dhe ndërtimit të kopshtit të ri në Tiranë.

Këngëtarja u prit edhe nga Kryeministri Rama, ndërsa ky i fundit ka publikuar një foto krah këngëtares me origjinë shqiptare, ku shkruan se “brenda meje mbeti gjurma e vajzës së mençur, të edukuar e modeste”.

“DUA LIPA që ka kapur qiellin e botës muzikore s’ka nevojë për asnjë koment, ndërsa një koment për Duan që pata kënaqësinë të njoh, unë dua ta ndaj me ju.

Uroj që ajo të rrojë e të mbretërojë 100 vjet në fronin ku është ulur, po brenda meje mbeti gjurma e vajzës së mençur, të edukuar e modeste si të ishte askushi, e cila është me siguri krenaria e lumturia e prindërve dhe e krejt familjes së saj, pikërisht sepse çka i takon botës nga ylli i muzikës, nuk ka prekur asnjë fije atë çka u takon atyre nga vajza e tyre. Çfarë çike”, shkruan Rama bashkangjitur postimit.

Këngëtarja shqiptare do të financojë mobilimin e plotë të kopshtit, me kapacitet 300 fëmijë, ndërsa godina po ndërtohet me ndihmën e Fondit të Katarit.

Ylli i muzikës botërore, shoqëruar nga prindërit, Dukagjin dhe Anesa Lipa, si dhe i fejuari i saj, Anwar Hadid,  u prit sot në Bashkinë e Tiranës nga kryebashkiaku Erion Veliaj.

Veliaj i dhuroi këngëtares së famshme një targë simbolike “Dua 100”, kapelen e gruas tironse, si dhe diskun muzikor me këngë popullore të Shqipërisë së mesme, realizuar në 100-vjetorin e Tiranës kryeqytet, “Tirana 100”.

Ndërsa, Dua Lipa i dhuroi Veliajt albumin e saj më të fundit, që po thyen rekordet botërore, “Future Nostalgia”, i cili për 6 muaj ka qëndruar në top 10-en e këngëve më të mira.

FOTO GALERI
1/12

Top Channel