Numri i ulët i regjistrimeve në shkollën “Kolë Margjini”, drejtoresha: Nuk e dinë se ofron të ardhme mjaft të mirë

23/07/2021 13:50

Prindërit e fëmijëve që këtë vit hyjnë në klasën e parë apo në gjimnaze po hasen me një problem shumë serioz. Procesi i regjistrimit në shkolla u kërkua të bëhet online nëpërmjet e albania.

Afati i fundit ishte deri në datën 15 korrik, ndërkohë që në datën 25 korrik shkollat do t’i kthejnë përgjigje sërish online. Por në këtë proces ka ndodhur një ngatërrim të dhënash të aplikimeve, rezultojnë fëmijë të cilëve sistemi u ka vendosur të dhënat e prindërve, si ditëlindja apo vendlindja.

Këta fëmijë që rezultojnë me moshë 30 vjeç, kanë krijuar konfuzion mes drejtuesve të shkollave që po përgatisin përgjigjit për regjistrimet. Ata shpresojnë që ministria e arsimit të japë një zgjidhje të dytë, edhe për faktin se ka shumë pak aplikime dhe janë me mijëra ata prindër që nuk kanë ditur të aplikojnë online.

Gazetari i Top Channel Klodian Zhivani tha se i njëjti problem paraqitet edhe në shkollat në qytetin e Shkodrës. Ndërsa drejtoresha e shkollës profesionale “Kolë Margjini”, Albana Lleshi i tha se ka rënë ndjeshëm numri i personave që kërkojnë të hyjnë në këtë shkollë. Ndonëse aty nuk ka probleme të regjistrimit online pasi shkollat profesionale pranojnë vetëm praninë fizike për të bërë regjistrimin, zbuloi disa faktorë që ndikojnë në numrin e ulët të studentëve.

Albana Lleshi: Aktualisht kemi një numër të vogël të regjistrimeve për të qenë të sinqertë, por falë aktivitete promovuese, të cilat shkollat i ka realizuar këtë vit ndryshe nga vitet e tjera, presim që këtë vit të kemi më shumë prurje në shkollën tonë. Mbase ka ndikuar edhe emigrimi, por nga statistikat dhe numri i lindjeve ka rënë. Këto mund të ndikojnë, por edhe 2 drejtimet, e pyjeve dhe përpunimit të drurit janë ndoshta më pak atraktiv dhe ndaj nxënësve të klasës së nëntë që mbase nuk e dinë se kjo shkollë ka një të ardhme mjaft të mirë. Dhe kur kemi bërë promovimin e shkollës, kemi hasur problematika dhe ka mungesë të teknikëve dhe inxhinierëve të pyjeve.

Top Channel