Kreu i SPAK: Është emergjent një ambient i përshtatshëm për BKH! Duhet të shqyrtohet edhe mandati i kufizuar kohor për prokurorët dhe hetuesit

23/07/2021 11:45

Në tryezën e organizuar për 5 vjetorin e Reformës në Drejtësi, kreu i SPAK, Arben Kraja ka thënë se cilat janë dy nga kërkesat emergjente që duhen plotësuar.

Njëra lidhet me ambientet e përshtatshme për hetuesit e BKH, një strukturë që është gati për të nisur punën. Ndërsa një tjetër kërkesë ka të bëjë me mandatin e kufizuar të prokurorëve të SPAK dhe të hetuesve të BKH.

Sipas Krajës, problemi është se kur të vijë faza e tretë nuk do të jetë në detyrë asnjë nga prokurorët e SPAK apo hetuesit e BKH.

Arben Kraja: Është një periudhë e gjatë kohe dhe ka nevojë për analiza për të parë se ku duhet të shkojmë më para. Sa i përket strukturës antikorrupsion, ka 1 vit e gjysmë që ushtron aktivitet dhe është e mjaftueshme për të bërë një analizë se ku jemi dhe ku duhet të shkojmë në të ardhmen.

Këtë 1 vit e gjysmë ka qenë intensive në ngritjen e strukturës dhe dua të falenderoj KLP që shtoi 2 prokurorë. Është një fitore. Në konsolidimin e strukturës, edhe për ngritjen e BKH që është gati për të nisur punë dhe jemi shpresëdhënës në këtë drejtim.

Ka pasur rezultate të këtyre 2-3 muajve të fundit që kanë qenë të matshme dhe publike. Po jep produktin e saj me ndëshkueshmëri të formës së prerë, me konfiskime por dhe hetime, hapje hetimesh dhe ushtrim ndjekjesh penale ndaj personave zyrtarë apo jozyrtarë të akuzuar për korrupsion. Nuk është vendi për shifra dhe analizë të dhënash, por struktura po bëhet akoma më shumë efikase.

Në raport me publikun, ka pasur një rritje të besimit të njerëzve. Duhet të jemi të ndërgjegjshëm që mes pritshmërisë dhe realizimit është një punë e madhe. Kjo nuk na pengon që ti shkojmë në fund të gjitha rasteve. Mendoj se ka ardhur koha të hedhim 2 momente për punën tonë, një ambient të përshtatshëm për BKH që është emergjente dhe nga kapaciteti që ne kemi sot, në një afat të shkurtër do jetë e pamundur që të ushtrojmë funksionet normale.

Ndërsa për mandatin e kufizuar kohor për prokurorët e SPAK dhe hetuesit e BKH. Kemi një kohë të gjatë mungesë ndëshkueshmërie dhe kjo nuk mund të zgjidhet me një strukturë me mandat të kufizuar kohor. Buxheti i shtetit dhe faktorët ndërkombëtar po investojnë për ta përgatitur këtë strukturë për të dhënë rezultate.

Problemi është se kur të vijë faza e tretë nuk do të jetë në detyrë asnjë nga prokurorët e SPAK apo hetuesit e BKH.

Top Channel