Kryeministri Edi Rama i uroi suksese skuadrës shqiptare që do përfaqësojë vendin tonë në Lojërat Olimpike, ndërsa ka postuar dhe një video nga hyrja e tyre.

Ceremonia e hapjes së Lojërave Olimpike në Tokio nisi në një stadium gati të zbrazët olimpik, pasi qyteti vazhdon të luftojë me rritje të numrit të rasteve me Covid-19.

Ceremonia nisi në orën 20:00 sipas kohës lokale, me më pak se 1,000 njerëz në stadiumin që ka kapacitet për mbi 68,000 vetë.

Sipas organizatorëve, vetëm rreth 15 udhëheqës globalë janë të pranishëm në ceremoni – në mesin e tyre edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Organizatorët kanë vendosur dy javë më parë që të ndalojnë gati plotësisht pjesëmarrjen e spektatorëve në ngjarjet olimpike, pasi në Tokio është shpallur gjendje e re e jashtëzakonshme, në përgjigje të rasteve në rritje të koronavirusit.

Lojërat Olimpike Verore 2020, të cilat janë shtyrë nga viti i kaluar për shkak të pandemisë, janë përcjellë nga një seri e shkarkimeve të zyrtarëve olimpikë.

Top Channel