Një vendim i Këshillit të Ministrave u jep Bashkive mundësinë të shpallë tendera për ndërtimin e pallateve, që një pjesë e banesave të përdoret për strehimin social.

Në vendim theksohet se nëse Bashkia ka truallin por nuk ka paratë mund të kërkojë bashkëpunim me privatin, si dhe anasjellta. Gjithashtu, Bashkia mund të kërkojë edhe financim nga Buxheti i Shtetit. Kjo VKM vjen si shtesë e një ligji që detyronte ndërtuesit të paguanin një taksë 3% për çdo ndërtim, që shkonte për banesa sociale.

Në këtë mënyrë në Bashkitë do ngrihen disa Komisione Vlerësimi, të cilët do bëjnë të mundur nëpërmjet një gare të përcaktojnë fituesit.

Ndërtuesit në garë duhet të paraqiten së bashku me ofertën e banesave për strehim që do t’i japin Bashkisë. Ajo që ka ofertën më të lartë të shkëmbimit do jetë e favorizuar në garën tenderuese.

Eksperti Vjoldi Danaj vëren se këto procedura mund të çojnë në abuzime dhe i lë Bashkive autonomi të pakontrolluar:

“Ne kemi një eksperiëncë disavjeçare me partneritetin publik-privat dhe kjo eksperiencë na ka treguar se këto partneritete janë në dëm të Buxhetit të Shtetit. Ka ndodhur që partneritet kanë qenë të panevojshme ose kanë ardhur me  kërkesë të privatit. Fakti që tashëm po i jepet autonomi Bashkisë të marrin para nga Buxheti publik kjo është e dëmshme, sepse Bashkitë tona janë në vështirë të thella ekonomike. Kemi parë ditët e fundit që kryebashkiakët janë akuzuar për abuzime në tendera dhe kush na garanton që nuk do vazhdojë kjo situatë. Bashkitë në vendet e zhvilluara kanë autonomi dhe kapacitet ekonomike që të jenë vetëfinancuese, sepse këto ndërtesa kur t’i jepen të pastrehëve ose njerëzve në nevojë do jepen me çmim më të favorshëm se kur ndërtohen nga privati. ”

Kjo praktikë cilësohet si një mundësi e mirë për të mbushur nevojat që Bashkitë kanë për strehime sociale si dhe të integrojnë pa krijuar lagje që mund të bëhen pjesë e diskriminimit.

Top Channel