Dy ditët e fundit, interesimi për vaksinimin anti-covid në Durrës ka ardhur në rritje, ndërsa vetë qytetarët, mes tyre dhe të huaj që jetojnë e punojnë në Shqipëri, apelojnë për të kryer vaksinimin dhe rritur imunitetin e tufës edhe ndaj variateve të reja të Sars-Cov-2.

Të vaksinuarit: “E bëra sepse jam e bindur që çdokush duhet ta bëjë dhe të përfundojë ky makth.”

“Mirë është ta bësh që të zhdukim virusin nga qarkullimi.”

“E kam bërë të parën dhe tani kisha dozën e dytë. Duhet ta bëjnë të gjithë.”

Më të interesuar për t’u vaksinuar gjatë javës së hapur të vaksinimit masiv kanë qenë grupmoshat 30 dhe 40 vjeç, po nuk kanë munguar edhe më të rinjtë. Interes të lartë ka pasur edhe për vaksinat e njohura zyrtarisht nga autoritetet shëndetësore botërore dhe ato europiane dhe kjo mundësi u është dhënë bazuar në kontigjentin e vaksinave në dispozicion.

Armir Damzi: Shohim interesim dhe te moshat e reja që lidhet me ndërgjegjësimin e qytetarëve për vaksinimin. Janë mundësuar 3 llojet e vaksinave: AstraZeneca, Sputnik dhe Sinovac në varësi të kritereve shëndetësore, po dhe të dëshirës së qytetarëve.

Përveç 18 qendrave shëndetësore dhe asaj të vaksinimit pranë shkollës artistike “Jan Kukuzeli” në Durrës, po funksionojnë dhe grupet lëvizëse të vaksinimit. Ditën e enjte vaksinatorët kanë qenë dhe në burgun e Durrësit ku janë vaksinuar mbi 130 persona që vuajnë dënimin penal në këtë burg, si dhe ata që presin të gjykohen, ndërsa ndodhen në kushtet e paraburgimit.

Top Channel