Morën para për operacionin e të plagosurit nga masakra e Velipojës/ Burg për dy mjekët dhe infermieren e Traumës

22/07/2021 13:50

Gjykata e Apelit në Shkodër ka lënë me masën e sigurisë “Arrest me burg” dy mjekët Serdi Memini dhe Ervin Sulaj si dhe infermieren nga Shkodra Diellë Macaj.

Dy mjekët janë arrestuar në spitalin e Tiranës të dyshuar për korrupsion pasi dyshohet se i kanë marrë para shtetasit Fatbardh Dyli, babai i të plagosurit Elmidin Dyli i cili u plagos në ngjarjen e rëndë në Velipojë më 27 qershor ku pati katër të vrarë dhe dy të plagosur mes të cilëve edhe 17 vjeçari Dyli.

Avokatët mbrojtës Anton Kosteri, Bujar Hoti dhe Landa Marku kërkuan zbutje të masës së sigurisë “Arrest me burg” duke thënë se ndaj dy mjekëve nuk ka asnjë provë. Edhe avokatja e infermieres kërkoi masë më të zbutur.

Në fund gjyqtari i Apelit, Tonin Sterkaj pasi dëgjoi palët vendosi që të lërë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” të shkallës së parë duke pranuar kërkesën e prokurorisë së apelit.

Seanca nisi që ditën e djeshme por u shty për sot për shkak se prokurorja e apelit kërkoi të njihet më gjatë me aktet e ekspertimit dhe pretendimet e palës mbrojtëse.

Avokatët mbrojtës paraqitën një raport vlerësimi të performancës së mjekëve gjatë punës së tyre si dhe gatishmërinë për lënien e garancisë pasurore por që nuk u morën parasysh nga gjykata e apelit e cila vendosi lënien në fuqi “arrest me burg”.

Vendi ynë u trondit mbrëmjen e 26 qershorit, ku konflikti për hapësirën e plazhit mes dy familjeve pronare hotelesh në Velipojë, Ferracakëve dhe Gocajve solli vrasjen e 4 personave.

Viktimat e ngjarjes janë biznesmeni i njohur i zonës, Kujtim Ferracaku, dy vëllezërit  Xhovani Gocaj e Edmond Gocaj dhe punonjësi i hotelit, Myzerim Zeneli, i cili ishte në ditën e parë të punës.

Top Channel