Partia Socialdemokrate (PSD) ka mbajtur sot një aktivitet ku ka kërkuar shkarkimin e zëvendësministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi.

Ndonëse u bë e ditur se MMPHI ka anuluar tenderin për tiketat ngjitëse në vlerë prej 5 euro në automjete, para ndërtesës së kësaj ministre aktivistët e PSD-së vendosën një baner me pamje të kartëmonedhës 5 euro, ku dukej edhe fotografia e zëvendësministri, Durmishi.

Teutë Rrusta nga PSD tha se pezullimi i kësaj takse erdhi si rezultat i luftës së përbashkët të spektrit opozitar dhe mendimit kritik karshi pozitës.

“Rrugës tek po vinim në aksion e kuptuam që zëvendësministri Durmishi ka pezulluar vendimin për tiketat ngjitëse në vetura. Tash, pas një presioni të madh publik, pas një aksioni të madh të pozitës dhe pas guximit të madh të mediave për me e adresu dhe ngritë këtë çështje, me i denoncu të gjitha elementet që e përbëjnë këtë shkelje, atëherë zv.ministri Durmishi vendosi ta pezullojë[…]Kjo erdhi si rezultat se u zbulua që aty po bëhet një plaçkë e radhës”, tha ajo.

Pezullimi i këtij tenderi, sipas Rrustës tregon se aty është një shkelje apo një dëm i bërë.

Sipas saj, fakti që është pezulluar tenderi nuk bënë ta shpëtojë zëvendësministrin nga llogaridhënia.

“Ai pikërisht tash duhet të jap llogari. Ai pikërisht tash duhet të shkarkohet dhe pikërisht tash duhet të intensifikohen hetimet në këtë raport. Ministri Aliu duhet të deklarohet për këtë punë, qeveria duhet të deklarohet për këtë skandal dhe zv.ministri Durmishi i cili është i njohur edhe për partinë e tij për raport të dyshimtë me paranë duhet të shkarkohet, për këtë nuk ka kompromis”, tha Rrusta.

Teutë Rrusta tha se përmes kësaj ngjarje i bëjnë me dije Qeverisë së Kosovës se çdo hap që ndërmarrin si qeveri do të vëzhgohet.

Top Channel