“Kërcet” arma në plazhin e Zvërnecit/ Pas konfliktit, 42-vjeçari qëllon në ajër dhe ia mbath nga vendi i ngjarjes (Emri)

22/07/2021 12:27

Të shtëna me armë zjarri janë shënuar mesditën e sotme në plazhin e Zvërnecit në Vlorë.

Në vendin e ngjarjes janë gjetur 3 gëzhoja 9 mm. Dyshohet se shkak i të shtënave ka qenë një konflikt i çastit. Forcat blu bëjnë me dije se një 42-vjeçar, i identifikuar si Luçio Rroko, i cili është shpallur në kërkim, ka qëlluar me armë zjarri në ajër dhe ia ka mbathur nga vendi i ngjarjes.

Policia po punon për kapjen e autorit dhe për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në konflikt.

Njoftimi i policisë

Qëlloi me armë zjarri në ajër pas një konflikti të çastit, identifikohet dhe shpallet në kërkim autori i dyshuar.

Më datë 22.07.2021, në Zvërnec, Vlorë,  shtetasi L. RR., rreth 42 vjeç, dyshohet se pas një konflikti të çastit, ka qëlluar me armë zjarri në ajër dhe më pas është larguar me shpejtësi.

Pas marrjes së informacionit menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e policisë ku falë veprimeve të shpejta bënë identifikimin e autorit të dyshuar.

Shërbimet e Policisë po krehin zonën  për kapjen e 42 vjeçarit si dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në konflikt.

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Top Channel