Bashkia shemb ndërtesën e UKT/ Në vend të saj do ndërtohet një shkollë e re për zonën e Medresesë

22/07/2021 15:16

Bashkia e Tiranës vijon ndërtimin e shkollave të reja. Më e fundit ajo në Njësinë 8  në të njëjtën hapësirë kur dikur ekzistonte një shkollë, e cila më vonë ishte kthyer në zyra për administratën e Ndërmarrjes së Ujësjellësit të Tiranës.

Veliaj: Ky është kantieri i 20-të i shkollave në Tiranën e madhe, – disa prej tyre janë në zonat rurale, e disa të tjera janë këtu, në zonat urbane, – por, për Njësinë 8, sidomos për zonën e Medresesë, ku ndodhet kryqëzimi më i ngarkuar në Tiranë, siç është zona e 5 Majit, ndërtimi i një shkolle të re është super lajm. Ndërtimi i saj ka qenë kërkesë e hershme e Njësisë 8, e cila është rritur shumë vitet e fundit. Kjo është arsyeja pse po bëjmë një shkollë nga kjo anë e unazës dhe një tjetër, shkollën “Kiço Blushi”, në anën e re të Njësisë 8, ku është vendosur popullsia pas viteve ’90.

Erion Veliaj theksoi se kjo godinë dikur shërbente si shkollë, nuk u pa kurrë e arsyeshme nga administrata e kaluar për të shërbyer në funksionin e saj.

Veliaj: E dini vetë mentalitetin e Saliut dhe të Lulit – gjej hapësirë dhe improvizo zgjidhje – dhe nuk u bë kurrë shkollë, por u përdor nga UKT-ja për disa vite. Nuk shoh asnjë arsye përse një kompani, si UKT-ja, të zaptojë një shkollë. Kjo është arsyeja përse UKT-në e kemi çuar në një ndërtesë tjetër, teksa ndërtohet zyra e re e UKT-së, kurse këtë hapësirë po e rikthejmë në destinacionin fillestar, e cila ka qenë shkollë.

Top Channel