Burime për Top Channel bënë me dije se ditën e sotme në orën 14:00, në Gjykatën e Posaçme pritet që mjekët ligjorë të paraqesin verifikim të gjendjes shëndetësore të të pandehurit Klajdi Dokoli.
Ai është i pandehur së bashku me Ardjan e Florenc Capjan dhe ka kërkuar lirim nga burgu me pretendimin se vuan nga një sëmundje e pashërueshme në kushte paraburgimi.
Ardian Çapja, Klajdi Dokoli, Etjen Cani dhe Jorgo Leku akuzohen për vrasjen e dyfishtë në Elbasan në vitin 2012 të Gentian e Nezir Beqirit.
Si bashkëpunëtor konsiderohet edhe bashkëpunëtori i drejtësisë, Ervis Bardhi se bashku me Olsi Leku dhe Klajdi Dokoli.
Krimi që tronditi vendin gjatë 2012, për shkak se dy viktimat u gjetën të pajetë ndonëse duhet të ruheshin nga policia mbeti i pazbuluar për një kohë të gjatë. Prokuroria e Elbasanit ra në gjurmë të Bardhit që më pas vendosi të flasë pasi ai u tradhtua nga gjurmë biologjike që kishin mbetur në një automjet.
I riu tregoi se kur shkoi në banesën ku qëndronte nën arrest Gentian Beqiraj, aty gjendej dhe i ati Neziri, kurse policët që duhet të qëndronin në hyrje kishin braktisur shërbimin dhe po ushqeheshin me byrekë. Së bashku me të në vrasje u angazhua edhe Olsi Leku, një tjetër autor që u arrestua në Greqi dhe që në përfundim u paguan 50 mijë euro.
I penduari kujton madje se mbas krimit, Florenc Capja i ka përgëzuar duke u thënë: “Ju lumtë dora dhe mos e vrisni mendjen për këtë punë”.
Top Channel