Në ditën e tretë të javës së hapur për vaksinimin e personave mbi 18 vjeç, procesi po ecën normalisht. Të rinj kryesisht paraqiten pranë qendrave të vaksinimit apo qendrave të tyre shëndetësore me nje document identifikimi.
Pasi konsultohen me mjekun, i nënshtrohen procedurës. Ministria e Shëndetësisë thotë se do të ketë javë dhe ditë të tjera të hapura. Ndërkohë studimet kanë gjetur, se mjafton 5 sekonda që një person të infektohet me variantin Delta. Virusi prek personat e vaksinuar, por ai shmang 100% fatalitetet, si dhje gjendet i dobët para një organizmi të vaksinuar thonë autoritetet e shëndetit publik.
“E dëgjova sot në televizion lajmin për ditët e hapura dhe erdha në stadiumin Arena ku bëhet vaksinimi. Nuk më duhet as për udhëtim, as për studim, por për të mbrojtur shëndetin tim. Unë jam 23 vjeç”.
“Ndërsa unë jam 27 vjeç dhe i kam marrë të dy dozat e vaksinës Moderna në Gjermani. Edhe atje është I organizuar si këtu, në stadium procesi. Në Gjermani masat anticovid janë më të shtrënguara. Maskat duhen mbajtur në ambiente të mbyllura, në metro dhe tren. Ndërsa në rrugë nuk mbahen”, shprehen qytetarët.
Marsida Velo, Shefe e Shërbimit Parësor, Drejtoria Rajonale e Tiranës: “Iu bëj thirrje veçanërisht studentëve të vijnë dhe të vaksinohen, pasi shtatori është afër dhe ata do t’u kthehen auditorëve, konvikteve, grumbullimeve”.
“Jam këtu për të bërë vaksinën, për të mbrojtur veten dhe të tjerët. Unë po e bëj vaksinën se dua dhe se duhet”, thonë të rinjtë.
Top Channel