Në shënjestër edhe Macron, Franca nis hetimet pas skandalit të përgjimit me programin izraelit

21/07/2021 03:36

Presidenti francez, Emmanuel Macron është një nga disa udhëheqësit botërorë, që besohet se ka qenë në shënjestër për t’u spiunuar përmes një programi izraelit, të quajtur Pegasus.

Mediat e huaja raportuan se programi u është shitur qeverive autoritare nga një kompani izraelite vrojtimi. Softueri, i njohur si Pegasus, infekton telefonat dhe lejon operatorët të spiunojnë objektivat e tyre.

Hetimi do të analizojë 10 akuza të ndryshme, përfshirë ato nëse ka pasur shkelje të privatësisë apo qasje mashtruese në pajisjet elektronike personale, ka thënë Zyra e Prokurorit të Parisit në 20 korrik. Një listë me rreth 50 mijë numra telefoni të personave që besohet se u interesonin klientëve të kompanisë NSO, është publikuar nga mediat prestigjioze. Nuk është e qartë se nga doli lista, ose telefonët e kujt u hakuan.

Akuzat lidhur me programin e njohur si “Pegasus”, u raportuan nga Uashington Post, The Guardian, Le Monde dhe 14 media të tjera prestigjioze përreth botës. Sipas tyre virusi infektonte pajisjet iPhone dhe Android duke u mundësuar operatorëve të kopjojnë mesazhe, fotografi, emaile, regjistruar telefonata dhe aktivizuar mikrofonët në mënyrë sekrete. Megjithatë kompania izraelite nuk pranon ndonjë shkelje.

Kompania NSO ka pasur klientë Qeveritë e Azerbajxhanit, Bahrejnit, Hungarisë, Inidisë, Indonezisë, Kazakistanit, Meksikës, Monakos, Ruandës, Arabisë Saudite, Togos dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, është thënë në hulumtim.

Top Channel