Shkodër/ U kap me armë zjarri me vete gjatë kontrollit të befasishëm, arrestohet 49-vjeçari

20/07/2021 09:57

Një 49-vjeçar ka rënë në prangat e policisë së Shkodrës pasi qarkullonte me armë zjarri me vete në qytet.

Ai u kap në zonën e njohur “Lagje Perash” dhe akuzohet për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”. Policia sekuestroi armën e zjarrit pistoletë dhe një sasi parash.

“Si rezultat i kontrolleve të befasishme, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative se një person qarkullonte në qytet me armë zjarri me vete, shërbimet e Policisë të Forcës së Posaçme “Shqiponja” në DVP Shkodër, në vendin e quajtur “Lagje Perash”, kanë ndaluar shtetasin I. I., të cilit gjatë kontrollit i gjetën një armë zjarri pistoletë.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore të kryera nga specialistët e Hetimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Shkodër u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit I. I., 49 vjeç, banues në lagjen Ajasëm, Shkodër, për veprën penale “Armëmbajtja pa leje” – njofton policia.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Top Channel