Kurban Bajrami/ Myftiu i Shkodrës: Ju kërkoj falje që nuk u falëm në shesh edhe këtë Bajram

20/07/2021 10:17

Sot besimtarët myslimanë festuan festën e Kurban Bajramit! Drejtuesit fetarë dhanë mesazhe paqeje në këtë ditë feste.

Myftiu i Shkodrës, Muhamed Sytari i  kërkoi falje të gjithë besimtarëve myslimanë që nuk e falën namazin e Kurban Bajramit në shesh duke thënë se nga parashikimi i motit menduan se do të ketë reshje shiu.

“Duhet t’ju kërkoj falje të gjithëve sepse nuk na kishin dalë llogaritë e kësaj dite ashtu siç e menduam duke parë dhe parashikimin e motit të kësaj dite dhe paska qenë shkruar që të mos falemi dhe këtë Bajram në shesh se në fakt ajo është tradita, të jemi të gjithë së bashku dhe të festojmë Bajramin që në realitetet e sotme festohet si festë e qytetit.

Ashtu siç shohim festat e pakuptimta që shohim shpesh herë të akumuluara nga mungesa e vlerës, falja e Bajramit në shesh duhet të jetë kryefesta e qytetit”, tha Sytari.

Kurban Bajrami është një festë e rëndësishme për të gjithë botën islame. Kjo festë simbolizon sakrificën dhe mëshirën e madhe për afrimin me zotin. Top Channel ju uron të gjithë besimtarëve myslimanë: Gëzuar Kurban Bajramin!

Top Channel