Franca nis hetime pas skandalit me softuerin izraelit të spiunimit

20/07/2021 21:17

Prokurorët francezë kanë nisur hetime rreth dyshimeve se disa gazetarë të faqes lokale hulumtuese, Mediapart, janë spiunuar përmes një programi izraelit.

Hetimi francez do të analizojë 10 akuza të ndryshme, përfshirë ato nëse ka pasur shkelje të privatësisë apo qasje mashtruese në pajisjet elektronike personale, ka thënë Zyra e Prokurorit të Parisit në 20 korrik.

Hetimi është bërë edhe më prioritet pasi e përditshmja franceze Le Monde, ka raportuar më 20 korrik, se presidenti francez, Emmanuel Macron dhe disa zyrtarë të qartë qeveritarë, janë shënjestruar për vëzhgim potencial në një rast spiunimi.

Njoftimi për nisje të hetimeve vjen një ditë pasi faqja Mediapart ka bërë kallëzim penal, duke akuzuar shërbimet sekrete të Monakos, për përdorim të softuerit për spiunim të kompanisë izraelite NSO, për të spiunuar telefonat mobilë të dy gazetarëve të saj.

Politikanë dhe grupet për të drejta të njeriut në gjithë botën, kanë shprehur zemërimin e tyre këtë javë, pas raportimeve se një numër regjimesh autokrate, por edhe qeveri demokratike, kanë shfrytëzuar softuerin e quajtur Pegasus, për të hakuar telefonat e gazetarëve, zyrtarëve dhe aktivistëve.

Një hetim i kryer nga 17 mediume – përfshirë Le Monde – i publikuar më 18 korrik, ka krijuar lidhje në mes të kompanisë NSO, e akuzuar për furnizim të qeverive me këtë softuer, me një databazë me mbi 50,000 numra telefonash, që besohet se janë identifikuar si persona me interes nga klientët e kompanisë, prej vitit 2016.

Kompania NSO ka pasur klientë Qeveritë e Azerbajxhanit, Bahrejnit, Hungarisë, Inidisë, Indonezisë, Kazakistanit, Meksikës, Monakos, Ruandës, Arabisë Saudite, Togos dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, është thënë në hulumtim.

Vetë kompania NSO ka hedhur poshtë çfarëdo keqbërje, duke thënë se softueri është krijuar për të ndjekur kriminelë dhe terroristë dhe është i qasshëm vetëm për ushtrinë, zyrtarë për zbatim të ligjit dhe agjenci të inteligjencës, me nivel të lartë të respektimit të të drejtave të njeriut.

Në listë janë përfshirë 189 gazetarë, më shumë se 600 politikanë dhe zyrtarë qeveritarë, të paktën 65 biznesmenë, 85 aktivistë për të drejta të njeriut dhe disa kryetarë shtetesh, ka raportuar e përditshmja amerikane The Washington Post.

Gazetarët punojnë për mediumet përfshirë Radion Evropa e Lirë, Associated Press, Reuters, CNN, The Wall Street Journal, Le Monde dhe Financial Times.

Pegasus infekton pajisjet iPhone dhe Android, duke u mundësuar operatorëve që të incizojnë bisedat telefonike, të kenë qasje në mesazhe, fotografi, emaila, fjalëkalime, si dhe të aktivizojnë fshehurazi mikrofona dhe kamera./REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA