Fotografitë në Facebook nxjerrin zbuluar bashkëpunëtorin e shqiptarit që vrau ish bankierin italian në sy të gruas (Emri)

20/07/2021 10:43

Bashkëpunëtori i shqiptarit për vrasjen e ish bankierit Giovanni Caramuscio  në Lecce të Italisë është arrestuar nga policia. Pas kontrolleve, karabinierët zbuluan se bashkëpunëtori është një 28-vjecar, i identifikuar si Andrea Capone, me origjinë nga Tricase.

Mbrëmjen e vrasjes, xhupi i tij me mëngë të gjata u braktis në një pus pranë shtëpisë së shqiptarit Paulin Mecaj, 31 vjeç. Nga pamjet e sekuestruara nga policia, Capone ishte bashkëpunëtori i paarmatosur. Të njëjtin xhup që kishte veshur mbrëmjen kur u ekzekutua ish bankieri 69 vjeçar, e kishte veshur edhe në disa raste të tjera.

Policia është bazuar në disa fotografi të postuara në profilin e tij në Facebook, raportojnë mediat italiane.

Anna Quarta, bashkëshortja e ish bankierit ka rrëfyer momentin e tmerrshëm të vrasjes teksa po priste në makinë Giovannin, i cili shkoi të tërhiqte para në një bankomat.

“Unë pashë Giovanni duke u përplasur përtokë, vrapova drejt tij, u përpoqa ta ndihmoja të ngrihej. Por ai kishte vdekur. Nuk e besova. Dhe akoma nuk e besoj tani”, rrëfeu ajo. Ish bankieri u vra me dy të shtëna me armë të Premten në mbrëmje, pak pas orës 11 të mbrëmjes, para një bankomati në Lequile teksa po kthehej në shtëpi me gruan e tij. Të dy kishin qenë në një darkë festive me miq dhe të afërm.

Në dalje të Lequile ka dy banka, ndaj Giovanni i tha Annës: “Le të ndalemi këtu për një moment, do të marr ca para”. “Ne do t’i marrim nesër, hajde”, u përgjigj Anna.Por Giovanni këmbënguli dhe madje e ngacmoi Anën pak, ndërsa ata të dy dolën nga makina. “E shihni, nëse do të dinit të përdornit ATM, unë nuk do të doja ta bëja atë gjatë gjithë kohës. Shikoni, është e thjeshtë, thjesht duhet të shtypni këta numra në tastet, kodin sekret… Dhe nëse nesër nuk jam më këtu, si do ta bëje, ë?” – ishin fjalët e fundit që i tha Giovanni.

Anna ngriti supet dhe iu përgjigj: “Mirë, edhe një herë”, dhe shkoi ta priste pranë makinës.

Pamjet e kamerave të sigurisë kanë treguar edhe skenën e vrasjes, ku dy autorët ishin të maskuar me maska anti-Covid. Ata e kërcënuan me armë ish-bankierin, të cilin e qëlluan me një pistoletë Beretta.  Dyshohet se pistoleta Beretta kalibër 9 është shkrepur nga Paulin Mecaj. E njëjta armë është gjetur nga hetuesit në shtëpinë e autorit të dyshuar.

Falë një dëshmitari, hetuesit verifikuan se një nga autorët shkoi me një qese tek një pus, por u kthye duarbosh.  Nga hetimet rezultoi që brenda pusit u gjet një çantë me rroba që dyshohet se u përdorën në vrasje.

Toka në të cilën ndodhet pusi është në shtëpinë e të dyshuarit. Gjatë kontrollit, policia gjeti Paulinin të veshur vetëm me pantallona të shkurtra. Ndërsa bluza që kishte veshur gjatë grabitjes ndodhej në banesë, së bashku me armën të cilën e kishte fshehur brenda një bime zbukuruese.

FOTO GALERI
1/15

Top Channel