Fiks Fare/ “Gjymtohet në punë”, ia cilësojnë dëmtim të lehtë! Pas interesimit të Fiksit, rihapen hetimet

20/07/2021 20:38

Fiks Fare denoncoi mbrëmjen e së martës zvarritjen e një procedimi penal për një aksident në punë, ku i gjymtuari nuk ka marrë asnjë informacion se çfarë ka ndodhur me çështjen.

Ai është endur midis Sarandës, ku dhe ndodhi aksidenti, dhe Tiranës, ku dhe bëri operacionin. Vasil Fetaj thotë se ka qenë i punësuar te një firmë nënkontraktore që po ndërtonte Lungomaren e Sarandës, te subjekti Aristidh Breshani. Në datën 6 prill 2021, një konstruksion metalik që po vendosej në Lungomare është rrëzuar dhe na ka aksidentuar” thotë 36-vjeçari.

Aksidenti ka dëmtuar më rëndë Vasilin, i cili ka pasur dhimbje të forta. Ai thotë se është dërguar me vonesë në Spitalin e Sarandës dhe në këtë spital ka qëndruar pak orë, ku ia kanë vendosur këmbën në allçi. Më pas, gjithë natën ka pasur dhimbje dhe të nesërmen është nisur në Tiranë. Por, sërish ka pasur probleme dhe ka shkuar në Spitalin Ushtarak. Në këtë Spital Ushtarak kë bërë ndërhyrje kirurgjikale në kalivje dhe ka vendosur hekura. Edhe pas disa muajsh, Vasili ka sërish probleme. Ai thotë se, gjatë kësaj kohe, nuk është interesuar askush.

Në fillim është marrë në pyetje nga policia, por më pas asnjë veprim. Thotë se Prokuroria e Sarandës nuk e ka informuar se çfarë është bërë me këtë çështje, nëse ka pasur apo jo persona nën hetim. Madje, kjo akuzë nuk e ka çuar te mjekoligjori, ndërsa është interesuar dhe i kanë thënë se “ke dëmtime të lehta”.

Pas ankesës, gazetarët e Fiks Fare shkojnë në Prokurorinë e Sarandës. Në fillim, punonjëset thonë se informacionin e jep vetëm kryesekretarja “Në këtë moment ka shkuar në komisariat për të marrë materialet dhe do vonohet një çik se ne këtu nuk kemi sistem. Ne s’të japim dot informacion, na vijnë dosje të përfunduara” thonë ato, duke i kërkuar që të vijë pas 1 ore. Ndërkohë, bashkëpunëtorja e Fiks Fare shkon pas 1 ore. “Erdhi njëherë, po as derën s’hapi. E morën në telefon dhe ka ikur kështu u kthye nga rruga” i thonë punonjëset, ndërsa e mbajnë mend Vasilin që ka shkuar në këtë akuzë para 1 jave. “Ai çuni me paterica. Erdhi para 1 jave S’kemi asnjë lloj informacioni, s’e dimë. Çfarë i kanë thënë herën e parë?” thonë ato. Njëra prej tyre pohon se “e kam kaluar kohët e fundit nëpër duar atë dosje. Mund të jetë edhe nga shefi për firmë. Më duket kështu si ngjarje, jo si emër personi (i dëmtuar)”. Ndërsa në fund i thonë se duhet të bëj një kërkesë te kryesekretarja.

Pas këtyre sorollatjeve, gazetarët shkojnë dhe interesohen. Çuditërisht, kësaj herë kryesekretarja u përgjigjet. “Unë do të jap informacion sa kam këtu, për hetimet për këto do bësh një kërkesë. Në 06.04 (ka ndodhur ngjarja), se në 8 është referuar këtu te ne. E ka prokurorja Alba Dhima“,  thotë kryesekretarja.

Por, edhe pse i dërguan kërkesë për informacion, Prokuroria e Sarandës deri në transmetimin e këtij investigimi nuk ka kthyer përgjigje. Por, dikush nga Prokuroria e Sarandës e kishte kontaktuar Vasilin, duke i thënë se duhet të paraqitej në këtë akuzë. “Nga prokuroria më kanë marrë dhe më kanë thënë duhet me shku deri nga e enjtja me çu ça janë këto të Tiranës atje. Prokurorja s’më ka marrë! Mund të ketë qenë, se një çun ishte, kam dhe numrin e tij. Sekretar mos gabohem, mund të jetë edhe hetues nuk e di se ça roli ka. Ai më tha mua, njëherë me thirri për konsultë, pastaj kështu kështu më ka ndodh i thashë. Ia tregova çështjen si ka ndodh, siç të thashë ty i thashë edhe atij. Se s’kan desh me m’dhënë raport ata atje. ‘Ti paske fakte më tha mu’ – patjetër që kam. ‘Ti qenkE keq më tha mua, nuk qenkan punët siç duken tha, siç i kemi parë’, – jo i thashë janë ndryshe dhe kështu ma kanë bërë. Pastaj më tha mua ‘hajde mos vonohu, sill letrat’“, përfundoi Vasili.

FOTO GALERI
1/8

Top Channel