“Të shtyhet fasha orare për muzikën!”/ Pronarët në Lungomare marrin vendimin, i vënë “kyçin” bizneseve për 24 orë

19/07/2021 09:54

Vlorë – Rreth 90 biznese përgjatë Lungomares kanë marrë vendimin që të mbyllen që prej orës 8 të mëngjesit deri ditën e nesërme në shenjë proteste për të ndryshuar rregullat e vendosura nga Komiteti Teknik pasi thonë se po dëmtohen ekonomikisht.

Ata kanë vendosur që të mbyllin për 24 orë të gjithë shërbimet duke “i vënë kyçin” Lungomares në një periudhë kur fluksi i punës po rritet për shkak të numrit të shtuar të turistëve. Bizneset po protestojnë për vendimin e orarit të kufizimit të muzikës deri në orën 22:00 dhe lëvizjet deri në orën 00:00.

Në mbrëmje kanë paralajmëruar se do të ndezin qirinj përgjatë lokaleve dhe do të vendosin tabela me shkrime kundër fashës së orarit 22:00. Duke qenë se ka nisur sezoni turistik, ata kërkojnë që të ushtrojnë aktivitetin e biznesit edhe pas mesnatës për të gjithë pushuesit.

“E keni parë dhe mbrëmë, filloi një farë simboli proteste. Ne vendosëm himnin kombëtar në orën 21:45 deri në orën 22:00 dhe ndodhi ndodhia e pakëndshme me policinë e shtetit. Që mbrëmë deri sot kemi fjetur shumë pak dhe kemi vendosur të gjithë së bashku që lokalet në shenjë simbolike, proteste t’i mbajmë mbyllur të gjitha dhe të shpërndajmë mesazhet tona.

Tani jemi duke u mbledhur, më vonë do ta japim mesazhin të plotë që Vlora nuk është një qytet me orare mortore, është një qytet turistik që ka bërë maksimumin për turizmin, është një qytet ku biznesmenët sakrifikojnë në çdo aspekt dhe mundohet që stafet e tyre t’i kualifikojë sa më lart dhe t’i ushqejmë që të gjithë. Ne kemi “24 orë blackout” dhe në mbrëmje, kur të perëndojë dielli do të nxjerrim nga një mesazh personal me pankartë. Janë përgjigjur 100% të gjithë bizneset dhe ka ngelur një pakicë me administratorë Tirane që është shumë pak, mos të përdorim emra, janë diku 90 biznese në total përgjatë Lungomares”, tha një pronar lokali para medieve.

Mbrëmjen e kaluar, u zhvillua një aksion policor pasi bizneset në zonën e Lungomares vendosën himnin kombëtar në sinkron me njëri-tjetrin pasi kishte kaluar ora 22:00.

Protesta u pasua me aksionin e policisë që solli katër të shoqëruar, mes tyre edhe një grua.

Një prej punonjësve të policisë shoqëroi me forcë administratoren e një lokali në Lungomare duke e futur me forcë në furgon. Menjëherë pas këtij aksioni, pronarët dhe administratorët e lokaleve iu drejtuan drejtorisë së policisë duke protestuar për lirimin e të shoqëruarve. Policia vendosi të lirojë të shoqëruarit rreth orës 4 të mëngjesit, ndërsa ende nuk ka ndryshim vendimi për kërkesat e tyre.

Policia bërë me dije se administratori i një subjekti në Vlorë është gjobitur me 1.000.000 lekë dhe është proceduar penalisht se bashku me dy të tjerë sepse kundërshtuan mbylljen e muzikës në orën 22:00.

“Në vijim të veprimeve u proceduan penalisht për veprat penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë”, shtetasit:

K.Xh., banues në Vlorë, administratori i subjektit, pasi nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë për mbylljen e muzikës, duke vijuar organizimin e aktivitetit me muzikë, pas orarit të përcaktuar për mbyllje;

S,Xh., banues në Tiranë, pasi pasi nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë për mbylljen e muzikës;

E.T., banuese në Vlorë, pasi ka kundërshtuar punonjësit e Policisë gjatë ushtrimit të detyrës”, njoftoi policia.

Mbetet për tu parë nëse do të ketë një ndryshim të masave nga Komiteti Teknik pas vendimit të bizneseve për të ushtruar aktivitetin e biznesit deri në orën 02:00 të mëngjesit dhe lejimin e muzikës deri në orën 00:00.

FOTO GALERI
1/12

Top Channel