Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, se në takimin e sotëm në Bruksel ka propozuar një marrëveshje me 6 pika, por që ajo është refuzuar ende pa u lexuar.

Kurti është shprehur se zëvendëskryeministri Besnik Bislimi i lexoi 11 pikat që Serbia ia vendos Kosovës si barrikada, derisa sipas tij, përfaqësuesit serbë nuk deshën të dëgjonin për to.

“Ishim dakord që në fund të gushtit të takohen përfaqësuesit e delegacioneve tona dhe në shtator, të ketë takim mes krerëve tanë. Nuk e kuptoj pse duhet t’i frikësohemi ballafaqimit të së kaluarës, kur e dimë që problemet i kemi nga e kaluara. Është për të ardhur keq që nuk arritëm një marrëveshje të përbashkët. Pala serbe e kundërshtoi shumë ashpër atë”, ka thënë Kurti.

Duke folur për atmosferën e takimit, Kurti deklaroi se ishte pothuajse e njëjtë nga takimi i kaluar, edhe pse nuk është pranuar togfjalëshi “ballafaqimi me të kaluarën”.

“Insistuam aty ku shprehet zotimi ynë për të pagjeturit, të futet edhe fjalia ‘ballafaqimi me të kaluarën. Kjo u pranua në një mënyrë të zbutur nga Josep Borrell, mirëpo u refuzua nga presidenti i Serbisë. Unë nuk e kuptoj se pse duhet t’i frikësohemi kaq shumë përballjes me të kaluarën. Ballafaqimi me të kaluarën është i domosdoshëm”, theksoi kryeministri i Kosovës.

Top Channel