Shpallet në kërkim 10 vjeçari që grabiti furrën e bukës/ Arrestohen edhe 2 persona të tjerë në Lezhë, ja për çfarë akuzohen

19/07/2021 09:08

Dy persona janë arrestuar nga policia e Lezhës për vepra të ndryshme penale, ndërsa një i mitur i identifikuar me inicialet O.M.,  është shpallur në kërkim për vjedhjen e një shume parash në një furrë buke.

Mbrëmjen e kaluar, grabitësi 10-vjeçar është futur në furrë për të blerë bukë dhe ka përfituar në kohën që shitja po i shërbente për të marrë një shumë parash nga arka.

10-vjeçari pas këtij akti është larguar menjëherë, ndërsa ende nuk dihet shuma që është vjedhur.

“Nga shërbimet e Policisë Lezhë u identifikua dhe u shpall në kërkim shtetasi i mitur O. M., i cili mbrëmjen e kaluar ka vjedhur një shumë parash në një furrë buke në qytet Lezhë”, njofton policia.

Ndërkohë, forcat blu bëjnë me dije se kanë arrestuar një 56-vjeçar sepse i gjetën një shkop druri dhe 2 armë të ftohta (thikë dhe dorezë metalike) që i mbante pa leje në automjet. Ai është identifikuar si Albert Papa.

“Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Lezhë bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit A. P., 56 vjeç, banues në Lezhë, për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin e tij, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një shkop prej druri dhe 2 armë të ftohta (thikë dhe dorezë metalike) që i mbante pa leje”, njofton policia.

Ndërsa 32-vjeçari, i identifikuar si Mir Bunaj u arrestua sepse po drejtonte automjetin tip “Peugeot”, në gjendje të dehur.

“Gjithashtu, nga specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor në DVP Lezhë u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit M. B., 32 vjeç, banues në Kurbin, pasi është konstatuar nga shërbimet e Policisë, në Fushë Milot, duke drejtuar automjetin tip “Peugeot”, në gjendje të dehur”, njofton policia.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, për veprime të mëtejshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA