Publikoi video duke kryer manovra të rrezikshme në rrugë, arrestohet 34-vjecari nga Tepelena

19/07/2021 12:12
Ilustruese

Një 34-vjeçar nga Tepelena është arrestuar nga policia pasi publikoi video duke kryer veprime të rrezikshme për sigurinë e jetës në rrugë, gjatë drejtimit të mjetit.

Ai është ndëshkuar me 60.000 lekë të reja gjobë dhe i është bllokuar mjeti.

“Shërbimet e Policisë Rrugore, duke marrë shkas nga publikimi i një videoje në rrjetet sociale, ku shfaqej një drejtues automjeti që kryente manovra të rrezikshme në rrugë, kanë identifikuar dhe shoqëruar në ambientet e Policisë, shtetasin A. K., banues në Tepelenë. Ky shtetas, më datë 17.07.2021, rreth orës 13:00, në rrugën e brendshme të fshatit Dragot, Tepelenë, ka kryer manovra të rrezikshme në rrugë duke drejtuar mjetin tip “Volkswagen” – njofton policia.

Policia Rrugore apelon për respektim të rregullave të qarkullimit rrugor, për përgjegjshmëri e përgjegjësi për sigurinë e jetës gjatë drejtimit të automjetit, pasi cilido që do shkelë rregullat e qarkullimit apo do kryejë manovra të rrezikshme në rrugë, që cenojnë rëndë sigurinë rrugore do përballet me Policinë Rrugore, në zbatim të plotë të Kodit Rrugor.

Top Channel