Protesta e bizneseve në Vlorë, policia procedon penalisht tre persona, ndëshkon me gjobë njërin prej tyre

19/07/2021 09:47

Pas revoltës së bizneseve në Lungomare u shënuan edhe incidentet e para mes administratorëve të lokaleve dhe Policisë së Shtetit.

Ata vendosën kolonën zanore të dashur për shqiptarët, Himnin Kombëtar, pas orës 22:00, orari i caktuar nga Komiteti Teknik, për të lejuar muzikën në lokale.

Ndërkohë forca të shumta policie mbërritën në Lungomaren e Vlorës me qëllim monitorimin e respektimit të orës policore nga ana e bizneseve.

Disa prej pronarëve të bizneseve refuzuan ta mbyllin aktivitetin e tyre dhe më pas janë përplasur me efektivët.

Policia shoqëroi dhe tërhoqi me forcë mbrëmjen e djeshme edhe administratoren e një lokali, për të cilën njofton se është proceduar penalisht si dhe është ndëshkuar me gjobë 1.000.000 lekë.

Po ashtu, janë proceduar penalisht edhe 2 shtetas të tjerë që kundërshtuan mbylljen e muzikës dhe nuk i’u bindën urdhrit të punonjësit të Policisë.

“Në zbatim të planit të masave për garantimin e rendit dhe qetësisë publike dhe monitorimin e lokaleve që vijojnë organizimet me muzikë pas orarit të përcaktuar për mbyllje, në kundërshtim me masat anticovid të vendosura nga organet kompetente, shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, gjatë kontrolleve kanë konstatuar një subjekt në lagjen “Uji i Ftohtë”, i cili vijonte organizimin me muzikë pas orarit të përcaktuar.

Në vijim të veprimeve u proceduan penalisht për veprat penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë”, shtetasit:

K. Xh., banues në Vlorë, administratori i subjektit, pasi nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë për mbylljen e muzikës, duke vijuar organizimin e aktivitetit me muzikë, pas orarit të përcaktuar për mbyllje;

S. Xh., banues në Tiranë, pasi pasi nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë për mbylljen e muzikës;

E. T., banuese në Vlorë, pasi ka kundërshtuar punonjësit e Policisë gjatë ushtrimit të detyrës.

Gjithashtu, për subjektin është vendosur masa administrative 1.000.000 lekë, për shkelje të orarit të përcaktuar në aktin normativ, për zhvillimin e aktiviteteve.

Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë apelon për të gjithë administratorët dhe pronarët e lokaleve që të respektojnë masat anticovid dhe orarin e përcaktuar për ushtrimin e aktivitetit”, thuhet në njoftimin e policisë.

Top Channel