Policia aksion në Fier, arreston katër persona, ja për çfarë akuzohen

19/07/2021 09:26
Foto ilustruese

Policia e Fierit ka vënë nën pranga 4 persona si dhe ka proceduar penalisht një tjetër, për vepra të ndryshme penale.

Shtetasi me inicialet A. A., 20 vjeç, banues në Fier, është kapur nga Forca e Posaçme “Shqiponja”, në vendin e quajtur “Rotondo e Sheqit”, duke drejtuar pa leje drejtimi automjetin tip “Porche” dhe gjatë kontrollit personal iu gjetën dhe sekuestruan 2 doza me lëndë narkotike cannabis sativa.

Gjithashtu, po nga këto struktura u procedua penalisht në gjendje të lirë për shkak të moshës, shtetasi i mitur O. A., 17 vjeç, banues në Fier, pasi u kap duke drejtuar pa leje drejtimi automjetin dhe gjatë kontrollit iu gjet një kuti metalike grirëse për lëndë bimore, me mbetje të lëndëve narkotike cannabis sativa dhe një përforcues grushti.

Nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier u bë ndalimi i shtetasit të shpallur në kërkim L. Sh., 57 vjeç, banues në Seman, Fier, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës”.

Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor në DVP Fier arrestuan në flagrancë shtetasit:

K. Z., 29 vjeç, banues në Kuçovë, pasi në Divjakë është kapur nga shërbimet e Policisë Rrugore, duke drejtuar automjetin tip “Ford”, në gjendje të dehur.

B. P., 20 vjeç, banues në Lushnjë, pasi është kapur nga shërbimet e Policisë, duke drejtuar pa leje drejtimi automjetin tip “Nissan”, në të cilin kishte vendosur fenelina si ato të Policisë.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Top Channel