Pezulluan shërbimin për 24 orë/ Kryebashkiaku takim me pronarët në Lungomare: Të dali dikush te dera e të thotë se kuzhina është mbyllur!

19/07/2021 13:24

Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli ka zhvilluar një takim me pronarët e bizneseve në Lungomare, të cilët ditën e sotme janë në grevë dhe kanë ‘ngrirë’ shërbimin në baret dhe restorantet e tyre, pasi kërkojnë që të ndryshohet fasha orare e vendosur si pasojë e pandemisë.

Kryebashkiaku iu ka kërkuar të gjithë biznesmenëve që të dërgojnë çdo lloj ankese me shkrim që ata kanë dhe të respektojnë orarin që komiteti i ekspertëve ka vendosur në parandalimin e përhapjes së Covid-19, duke ju thënë që ti bëjnë me dije klientëve të tyre se aktiviteti ushtrohet deri në orën 00:00.

“Në mes të Romës ishin të gjitha lokalet të mbyllura. Ju keni të drejtën tuaj që të protestoni.Unë prandaj jam këtu për t’ju ndihmuar, do t’ju lutesha që brenda kësaj jave të sillni çdo lloj ankese me shkrim, biznes pas biznesi, për atë që mendoni. Për fashën e orareve kryeministri ju komunikoi se ndryshon deri në orën 23:00. Prandaj jam këtu për t’ju mbështetur me gjithë zemër, ju e dini këtë gjë. Duhet të tregojmë pak më shumë qytetari sepse jemi një qytet turistik dhe gjëja e parë që duhet të tregojmë është që jemi të kulturuar dhe civil.

Ju të gjithë keni ardhur nga Italia, edhe sot edhe pra 3 vitesh, të shkoje në një restorant në orën 22:00 të thonin që restoranti është mbyllur. Në momentin që klientit i keni thënë që në orën 12:00 lokali është i mbyllur, do dali dikush te dera dhe do ti thotë që kuzhina është mbyllur.

E di shumë mirë, nga shifrat që kam shof që të gjitha hotelet janë të prenotuara deri në 25 gusht, 100%. Në momentin që keni një orar pse nuk ja thoni këtë orar klientit tuaj. Ju kam thënë të gjithëve të gjithë dokumentacionin se çfarë ju ka ndodhur nga vjet në sivjet”, u shpreh kryebashkiaku.

Sa i takon shqetësimit të pronarëve të lokaleve, të cilët u shprehën në takim se policia po tremb turistët me ndërhyrjet e saj dhe duke rikujtuar edhe situatën e ndodhur ditën e djeshme, në Lungomare, ku pati edhe përplasje me forcat e policisë dhe u shoqëruan disa persona, Leli u shpreh se ata duhet të respektojnë orarin e caktuar dhe në këtë mënyrë do të anashkalojnë konfrontimet me efektivët.

“Pjesën e policisë do ta diskutoj bashkë me drejtorin e policisë, duke u lidhur çdo gjë me komitetin e ekspertëve. Të gjitha këto kushte janë në të gjitha vendet e Europës jo vetëm në Vlorës. Pamja nuk është shumë e këndshme, por nëse do e respektonit orarin polici nuk do afrohej fare te biznesi jot”, tha Leli.

Biznesmenët kërkojnë të shtyhet fasha orare deri në orën 02:00 dhe muzika deri në orën 00:00.

“Duam muzikë deri në orën 00:00 dhe orarin e punës duam që ta shtyjmë në orën 2:00 fasha orare Duam të bëhet një biznes sa më i shëndetshëm. Covidi ku ndikon te muzika? Policia prish më shumë punë se çfarë prishim ne si biznese”, u shpreh njëri prej tyre.

Top Channel