Nis vaksinimi masiv +18/ ‘Po ju flet një i vaksinuar, s’kam asnjë problem!’, Rama thirrje qytetarëve: Vaksinohuni, varianti i ri është agresiv

19/07/2021 11:12

Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministrja Ogerta Manastirliu, ndodheshin këtë të hënë në Dimal, në qendrën e re shëndetësore “18 Tetori’.

Kjo qendër është rindërtuar në kuadër të programit të rehabilitimit të 300 qendrave shëndetësore, ku ka nisur sot, si në të gjithë vendin, java e hapur e vaksinimit masiv për çdo qytetar mbi 18 vjeç.

Thirrja që Kryeministri Rama dhe ministrja Manastirlu ju bëjnë qytetarëve është e njëjtë: të vaksinohen sa më shpejt për të pasur mundësinë të mbrohen nga virusi i ri Delta.

Kryeministri tha se në rastet kur një i vaksinuar do të preket nga ky variant shanset për të përfunduar në spital janë të pakta dhe simptomat janë pa dhimbje dhe vuajtje.

“Ajo që më le për tu nënvizuar si mesazh sot është që përtej faktit që Shqipëria ka ecur jashtëzakonisht mirë dhe është botërisht e klasifikuar në vendet e para përsa i përket efikasitetit të këtij procesi, varianti i ri është agresiv, përhapet shpejt dhe është i rrezikshëm kur kap ata të cilët janë të pa vaksinuar. Vaksinimi nuk e bën 100% të paprekshëm individin nga virusi por e bën virusin shumë të dobët përpara individit. Në ato raste kur preket një i vaksinuar, shanset e shkuarjes në spital është zero dhe simptomat janë të administrueshme, pa dhimbje e vuajtje. E rëndësishme që për të mbrojtur nga varianti i ri, të vaksinohemi. Këtu po ju flet një i vaksinuar, ja ku jam, s’kam asnjë problem, kjo vlen për të gjithë ata që vazhdojnë të jenë skeptik apo pre e teorive të konspiracionit. Është e rëndësishme të bëjmë gjithçka kemi në dorë, që edhe këta të kapërcejnë teorinë e konspiracionit dhe të mbrojnë veten e tyre”, tha Kryeministri.

“Nga sot ne kemi filluar javën e hapur të vaksinimit për grupmoshën +18 vjeç. Aktualisht ka filluar në të gjithë Shqipërinë, në të gjitha qendrat shëndetësore dhe pikat e vaksinimit të përqëndruar”, tha Manastirliu, duke ftuar të gjithë qytetarët mbi 18 vjeç që të vaksinohen.

Duke theksuar faktin se në Europë po shihet një rritje e rasteve edhe për shkak të variantit Delta, Manastirliu tha se arma më e fuqishme është vaksinimi, ndaj ky proces në Shqipëri do të vazhdojë edhe përmes njësive të lëvizshme.

Prej fillimit të procesit të vaksinimit janë kryer në total 1,069,365 doza të vaksinës ndaj COVID19. Prej tyre 466,905 qytetarë i kanë marrë të dyja dozat e vaksinës antiCOVID.

Ditën e sotme nis java e vaksinimit të hapur për moshën +18 vjeç. Të gjithë qyetetarët mund të paraqiten me kartën e identitetit në qendrën shëndetësore ose në qendrën më të afërt të vaksinimit, përgjatë gjithë javës, nga mëngjesi deri në 8 të mbrëmjes, për të kryer pa kufizim vaksinën antiCovid.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA