“Kufizimet nuk janë për të gjithë”/ Kërkesa e bareve: Muzika të paktën deri në mesnatë

19/07/2021 19:41

Prej më shumë se një vit e gjysmë baret dhe restorantet kanë zhvilluar aktivitetin të kufizuar diktuar nga masat anti Covid.

Teksa ora policore e lëvizshmërisë është deri në 12 të mbrëmjes, muzika duhet të ndalet 2 orë para. Kjo ka sjellë humbje të konsiderueshme për këto biznese, por edhe pakënaqësi. Madje të revoltuar, një pjesë e tyre në Vlorë kanë protestuar duke shprehur shqetësimin se autoritetet mbyllin njërin sy për sipërmarrësit e mëdhenj.

Pas protestës së tyre, ka ardhur edhe reagimi i qeverisë me zgjatjen e orarit të lejimit të muzikës deri në orën 23:00 duke nisur nga 20 korriku.

Edhe pse pranojnë se kjo ndihmon bizneset, përfaqësues të bareve e restoranteve shtojnë se është e pamjaftueshme në kushtet kur janë të pasigurt se çfarë do të ndodhë pas sezonit turistik.

Sigurisht që do të ndihmojë bizneset tona, por nuk besoj se do të ishte problem edhe nëse zgjatej në orën 24:00. Jemi në kulmin e sezonit dhe përkon me një periudhë që për ne sjell më shumë të ardhura. Nuk e dimë se si do të jetë dimri. . Mund të mbajmë muzikën në sfond ndoshta edhe përtej kësaj fashe orare të paktën deri në orën 1:00”, thotë Iliri, sipërmarrës

Por, mbyllja e club-eve të natës që prej nisjes së pandemisë dhe ndalimi i muzikës ka prekur veç bizneseve të argëtimit edhe vetë ata që luajnë muzikë, DJ, që kërkojnë lehtësim të masave.

Kufizimi i orarit duket krejt i paarsyeshëm. Një tjetër problem lidhet me standardet e dyfishta që autoritetet ndjekin. Një javë më parë isha në Dhërmi dhe në orën 10 policia erdhi ndaloi muzikën në një nga bizneset, teksa në një tjetër lokacion pak më tutje vazhdonte të lejohej. Duhet që të zgjaten oraret e shqiptarët të qëndrojnë këtu me pushime, mos të kenë nevojë të shkojnë në Mal të Zi ku nuk ka kufizime të tilla”, thotë dj. Dorian Gjergji.

Top Channel