Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla i shoqëruar nga kryetari i Bashkisë, Gledian Llatja pa nga afër punimet që po kryhen për rehabilitimin e kanalit vaditës në fshatin Kozan në Elbasan.
Në fjalën e tij Balla tha se vëmendja nuk është e përqëndruar vetëm në punët e qytetit, por padyshim dhe në të gjithë nevojat e fshatit.
Sipas Ballës në këtë sezon Bashkia e Elbasanit, përmes Agjencisë së Shërbimeve Publike, është e angazhuar të dërgojë ujin për vaditje në çdo parcelë toke të mbjellë.
“Kjo është një punë e shkëlqyer që bën bashkia që një pjesë të investimit ta bëjë me kontraktim dhe një pjesë të madhe të punës përmes Agjencisë së Shërbimeve Publike. Synimi ynë është që mos të lëmë asnjë familje që jeton në fshat pa i garantuar, përveç detyrimeve që kemi me ujin e pijshëm dhe ujin vaditës. Unë nuk e di se çfarë mund të bëjë një familje në fshat nëse nuk ka ujë për vaditjen”, theksoi Balla.
Nga ana e tyre banorët janë shumë të kënaqur që më në fund uji do përfshijë çdo parcelë toke të mbjellë dhe nuk do të ketë më humbje gjatë rrugës.
Top Channel