Kjo është shtëpia e Xhevahire Verjonit, 79-vjeçares nga Rubjeka e Maminasit e cila nuk ka përfituar asgjë nga procesi i rindërtimit.

Në kohën e aplikimit ajo u bllokua në Itali ku kishte shkuar e sëmurë për të qëndruar disa kohë te djemtë e saj.
“I thashë që s’kam pasur mundësi me ardh, po ju dokumentat këtu i keni pas. Meqë nuk mund të bësh shtëpinë, më thanë, do të aplikojmë për lekë. Faleminderit i thashë.”

Pas ndarjes nga jeta të bashkëshortit të saj në nëntor të vitit 2019, në gjendje jo të mirë shëndetësore, nënë Xhevahirja shkon në Itali ku dhe bllokohet nga pandemia. Shtëpia e saj u verifikua si e dëmtuar rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit, por ajo nuk ishte e pranishme për të aplikuar për grantet e rindërtimit, ndaj në rastin më të parë kthehet në fshat dhe kërkon ndihmë nga bashkia Shijak.

“Zonja është paraqitur më 14 janar 2021 dhe ka bërë kërkesë për t’u pajisur me banesë të re nga rindërtimi. Theksoj se askush që nuk ka aplikuar në sistem nuk mund të përfitojë nga ky grant.”

Pa rrugëzgjidhje dhe e lodhur nga ecejaket për shkak të moshës dhe handikapit fizik, një qytetar e ndihmon duke iu drejtuar platformës “Shqipëria që duam”. Por reagimet që pasuan qenë arbitrare.

“Tani që u ankove s kemi për ta bërë më. I thashë që ju s’më dhatë rrugëzgjidhje ndaj u ankova. Bledi më tha dhe më nxori nga zyra e më tha ik se na bezdise”.

E vetme, ajo është në pritje të ndihmës për rregullimin e shtëpisë ku ka mundin dhe djersën e një jete të tërë, ndërsa administratori i Maminasit Bledi Dervishi shprehet se rihapja e aplikimeve do të ishte mundësia e vetme që Xhevahire Verjoni të përfitojë nga rindërtimi.

“Le të vdes se e di unë se ç’kam heq për ta bërë atë shtëpi”.

“Të presim rihapjen që të mund të aplikojë”.

Top Channel