Vijon kontrolli masiv i territorit për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike.

Strukturat hetimore të DVP Vlorë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, në vijim të punës së pandërprerë për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike, gjatë kontrollit të territorit, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë policore, kanë evidentuar dhe goditur 3 raste në fushën e narkotikëve, në Selenicë dhe Dukat, Vlorë.

Si rezultat i operacionit, specialistët për Hetimin e Trafikut të Paligjshëm dhe Narkotikëve në DVP Vlorë, arrestuan në flagrancë shtetasit, T. A., 38 vjeç, banues në fshatin Peshkëpi dhe S. I., 32 vjeç, banues në Vlorë, pasi dyshohen se në bashkëpunim me njeri-tjetrin, në vendin e quajtur “Llovisë”, në fshatin Dukat, në një sipërfaqe të pyllëzuar, kanë kultivuar në kubikë fidanë cannabis sattiva si dhe gjatë kontrollit të ushtruar në kasollet ku këta shtetas qëndronin u gjetë dhe u sekuestrua një sasi prej 11 kg lendë narkotike e dyshuar cannabis sattiva në forëm boçeje.

Po nga specialistët për Hetimin e Trafikut të Paligjshëm dhe Narkotikëve në DPV Vlorë u bë shpallja në kërkim e shtetasve, Sh. Z., 58 vjeç dhe Sh. Z.,18 vjeç ( babë e bir) banues në Selenicë, Vlorë, pasi gjatë kontrollit në banesën e tyre iu gjet dhe iu sekuestrua një sasi prej 1.74 kg lëndë narkotike e dyshuar cannabis sativa, një sasi municioni luftarak dhe 1 armë e ftohtë (thikë), si dhe në oborrin e banesës, u gjetën të kultivuar në kubikë fidanë cannabis sativa.

Gjithashtu nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Vlorë, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit J. K., 23 vjeç, banues në fshatin Peshkëpi, Selenicë, pasi gjatë kontrollit në oborrin e banesës së tij, u gjetën të kultivuar fidanë cannabis sativa.

Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprime të mëtejshme.

Top Channel